Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në debatin në Munih bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se e gjithë bota e di se spastrimi etnik në Kosovës më ‘98-‘99, ka ndodhur nga shteti serb.
“E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë. Por është edhe një realitet i ri, ku në Kosovë kemi praninë ndërkombëtare. Për Asociacionin e komunave serbe… jemi pajtuar për të themeluar atë, por jemi pajtuar që ajo të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Keqkuptimi këtu është se Vuçiç nuk e kupton se unë jam president i Kosovës së pavarur, të njohur nga mbi 100 shtete. Ende shpresoj se, edhe pse do të jetë pothuajse e pamundshme për të arritur një marrëveshje, vazhdoj të besoj. Pse besoj? Sepse ka gatishmëri për t’u ulur e diskutuar. Me Vuçiçin jemi ulur dhe kemi diskutuar”.
Më pas foli edhe Vuçiç, i cili shtroi disa pyetje në lidhje me shtetësinë e Kosovës, duke e vënë atë në pikëpyetje.
“Ndoshta një ditë unë s’do të jem lider dhe dikush tjetër do ta arrijë marrëveshjen. Pyes, pse ju duhemi, pse negocioni me Serbinë? Pse ndodhi që ju ende nuk jeni anëtar i OKB-së? Apo i Interpolit, i UNESCO-s… sepse ju jeni shtet i pavarur i konsoliduar, sipas jush. Por, ju keni nevojë për negocim sepse s’jeni shtet i konsoliduar. Ne nuk presim asgjë nga BE-ja. Janë nikoqirë të mirë. Nuk kemi asnjë fjalë të keqe për Mogherinin apo të tjerët, siç dëgjojmë fjalë nga Prishtina. Gjithmonë për ta dikush ka faj. Herë Serbia, herë Brukseli, herë Rusia… Mendoj se fajtorët janë Thaçi dhe unë. Urrejmë termin e shkëmbimit të territorit, dhe për këtë e përdorim termin demarkacion”, deklaroi Vuçiç.
Ai u ndal edhe tek kufijtë e Kosovës, të cilët po ashtu i vuri në pikëpyetje duke thënë se a janë kufij që i njeh SHBA-ja apo Kina. “Për cilët kufij flasim? Që janë njohur nga SHBA-ja apo Kina? Janë kufij krejtësisht të ndryshëm për këto dy vende. Për këtë arsye duhet të negociojmë, t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Kam dëgjuar çdo temë të hapur nga delegacioni i Prishtinës. Dhe këtë kërkojmë edhe ne. Por ju e shihni sot, është një seancë e hapur, diskutuam të gjitha çështjet siç janë, dhe u shfaqën të gjitha vështirësitë. Ajo që kemi nevojë është punë me përkushtim dhe të provojmë të arrijmë kompromis. Ju garantoj se nga pala e Beogradit do të bëjmë gjithçka është e mundur, por s’ju garantoj se do të mund të arrijmë diçka”, thekoi Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




