Gazeta Si - Ashtu siç lajmëroi një ditë më parë, deputeti i PS-së, Alqi Bllako, ndaj të cilit nga SPAK është lëshuar një urdhër-arrest, ka dorëzuar mandatin para kryetares së Kuvendit.
Bllako nuk është paraqitur fizikisht në ambientet e Kuvendit dhe përmes një letre ka dorëzuar me postë mandatin e deputetit. Në këtë mënyrë mbledhja e Këshillit të Mandateve, që do të vendoste për mandatin e deputetit, sot në orën 18:00 është anuluar.
"Unë i nënshkruari Alqi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë, dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhrit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.202 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00.
Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, thuhet në dorëheqjen e Bllakos.
Një ditë më parë deputeti socialist njoftoi se do ta linte mandatin për t’u përballur me ligjin si qytetar i thjeshtë.
Letra e dorëzimit të mandatit nga Bllako 'de facto' e anulon mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores aty ku një prej anëtarëve të saj, Ervin Salianji tha përmes një postimi në Facebook se atyre nuk u ishte vënë në dispozicion dokumentacioni i plotë i SPAK-ut ndaj tij.
Për pasojë, asnjë prej deputetëve nuk do të njihet hollësisht mbi dosjen e SPAK-ut. Bllako i parapriu mos njohjes se kësaj dosje, përmes dorëzimit të mandatit.
“E vërteta është se deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!”, shkruan Salianji.
Pas dorëheqjes, zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi zyrtarisht se nuk do të ketë mbledhje.
“Në mbështetje të Urdhrit nr. 24, datë 30.03.2022, të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.
Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga mandati i deputetit me vullnet të lirë dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.