Gazeta Si – Ka përfunduar në barazim 2-2 ndeshja mes Teutës dhe Tiranës në stadiumin ‘Niko Dovana’, e vlefshme për javën e dytë të Superiores. Gjatë pjesës së parë në stadium u fikën dritat dhe për disa minuta lojtarët dhe tifozët qëndruan në errësirë.
Tirana gjeti golin shumë shpejt me Hasanin, por po shumë shpejt shifrat u përmbysën. Durrsakët fituan një penallti me VAR dhe Realdo Fili barazoi nga pika e bardhë. Gjinollari më pas shënoi me kokë golin e dytë për Teutën.

Në pjesën e dytë trajneri Diego Longo e udhëzoi skuadrën që të mbrohej me kujdes. Megjithatë, Tirana ia doli të barazonte me kapitenin Filip Najdovski, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Gjithçka është mbyllur me këtë rezultat, 2-2, me durrsakët që marrin pikën e parë të kampionatit, kurse Tirana ndalet pas fitores në derbin me Dinamon.

Teuta nuk luajti javën e parë, sepse ndeshja me Partizanin u shty për shkak të angazhimit europian të ekipit të kuq. Java e dytë vazhdon nesër me ndeshjet mes Partizanit dhe Lacit dhe Kukësit ndaj Egnatias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




