Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Si kudo tjetër në botë, edhe në Shqipëri nuk kanë munguar fushatat sensibilizuese për të rritur vetëdijen e grave dhe vajzave për të kryer kontrolle. Specialistët shëndetësorë rekomandojnë vizita të rregullta pasi kultura e kujdesit shërben për identifikimin në kohë të shfaqjes së kancerit të gjirit.
LEXO EDHE:
Pse kaq shumë gra nën 40 vjeç po preken nga kanceri i gjirit? Studimet rendisin arsyet e mundshme
Mesazhi i Ministres Koçiu: Përfitoni nga programi ynë i mamografisë falas në të gjithë vendin
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u është drejtuar me një videomesazh të gjitha grave dhe vajzave.
Në këtë videomesazh Ministrja Koçiu thotë se shtrirja e mbulimit me mamografi falas në te gjithë vendin si dhe zgjerimi i reparteve onkologjike në spitalet rajonale, kanë bërë që vit pas viti të rritet numri i diagnostikimeve të hershme, si dhe të ulet numri i fataliteteve.
Ministrja e Shëndetësisë bëri thirrje që të gjithë gratë dhe vajzat të përfitojnë nga programi i mamografisë falas, të ofruar në të gjithë Shqipërinë, duke rezervuar takim për kontroll çdo ditë të vitit.
Nisma e veçantë në Kosovë, autobusi rozë nis sot ‘rrugëtimin’ në rrugët e Prishtinës, ofron mamografi falas
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, në Prishtinë është marrë një nismë e veçantë. Një autobus rozë, ngjyrë e përzgjedhur për tetorin rozë, do të lëvizë në Prishtinë dhe do të ofrojë mamografi flas për të gjitha vajzat dhe gratë. Nisja bëhet në rrugën “Luan Haradinaj”, konkretisht te New Born.
Shërbimi i mamografisë do të ofrohet falas edhe në tri Qendrat e Mjekësisë Familjare: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.
Ndërkohë, komuna ka falënderuar ekipet e basketbollit të Trepçës e Pejës, lojtarët e së cilave do të veshin bluzat “Race for the Cure Prishtina 2023” në shenjë mbështetje për fushatën kundër kancerit të gjirit.
Sa i përhapur është kanceri i gjirit?
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë. Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme.
Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:
Mosha- rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja
Ndryshimet në disa gjene- deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për kancer të vezoreve.
Fillimin e hershëm të menstruacioneve- femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.
Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç- ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit.
Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.
Mungesën e aktivitetit fizik.
Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës.
Historitë personale me kancer gjiri- Femrat që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit.
Historitë familjare me kancer gjiri- rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.
Pirja e alkoolit dhe duhanit
Cilat gra janë të rrezikura për kancerin e gjirit?
Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.