Bota

Tetë kandidatë/ Lituanezët zgjedhin presidentin e ri mes shqetësimeve për Rusinë dhe luftën në Ukrainë

Lituanezët dolën për të votuar të dielën në zgjedhjet presidenciale, në një kohë kur Rusia po çan përpara në fushëbetejë në Ukrainë, duke nxitur frikë të madhe për qëllimet e Moskës, posaçërisht në rajonin Baltik.

Presidenti i tanishëm, Gitanas Nauseda, është favorit për ta fituar një mandat tjetër pesëvjeçar. Por, tetë kandidatë garojnë në përgjithësi, dhe kjo e bën të vështirë për të dhe kandidatët e tjerë të fitojnë mbi 50 për qind të votave të dielën. Në këtë rast, një balotazh do të mbahej më 26 maj.

Rezultati pritet të bëhet i ditur të dielën vonë në mbrëmje.

Detyrat kryesore të presidentit në sistemin politik të Lituanisë janë mbikëqyrja e politikave të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti është gjithashtu edhe komandant i Forcave të Armatosura të vendit.

Këto detyra ia rrisin rëndësinë pozitës së presidentit në një vend relativisht të vogël, duke qenë se Lituania ndodhet në krahun strategjik lindor të NATO-s. Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Shqetësimet janë shumë të mëdha në Lituani, si dhe në vendet fqinje Letoni dhe Estoni, për shkak të përparimit që kanë bërë trupat ruse së fundmi në fushëbetejë në verilindje të Ukrainës.

Këto vende baltike e shpallën pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe morën rrugën drejt Perëndimit, duke iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Për herë të parë, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), e hodhi poshtë ftesën e Lituanisë për vëzhgimin e zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë