Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, ndërgjegjësimi për testimet vullnetare për HIV/AIDS ka ardhur në rritje vitet e fundit, megjithatë numri i testimeve mbetet ende nën nivelin e nevojshëm për të parandaluar përhapjen e virusit në kohë.
Shifrat e reja tregojnë se mungesa e informacionit dhe frika nga paragjykimi vijojnë të jenë pengesa të mëdha.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, për vitin 2024 ishin vetëm 1310 testime vullnetare nga 70 mijë në total që u kryen për HIV/AIDS.
Ndërkohë, në 2023 ishin 1269 testime dhe këto shifra janë pothuajse në të njëjtat nivele në 5 vitet e fundit.
Numri i ulët i testimeve vullnetare për HIV, ka çuar në rritjen e të prekurve nga virusi HIV dhe paraqitja e tyre në stade të avancuara.
Një nga shqetësimet kryesore është fakti se shumica e rasteve zbulohen në fazë të vonë të infeksionit, shpeshherë në stadin AIDS.
Nga të diagnostikuarit në vitin 2024, 64.3% kanë pasur vlera të ulëta të CD4 (nën 350), që tregon për një infeksion të avancuar dhe trajtim të nisur me vonesë. Më alarmante, 38.8% e tyre janë paraqitur në një stad shumë të vonë të infeksionit (CD4 < 200).
Këto të dhëna tregojnë se shumë individë kanë qenë të infektuar për vite me radhë, pa dijeni dhe pa simptoma, duke rrezikuar kështu transmetimin te partnerët e tyre pa e ditur.
Testimet vullnetare dhe konfidenciale janë thelbësore për të zbuluar dhe trajtuar infeksionin në kohë, duke kufizuar përhapjen dhe duke ruajtur shëndetin publik.
Për të adresuar sfidat, nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse që përfshin informim të gjerë, edukim seksual në shkolla, përfshirjen e grupeve vulnerabël në programet e parandalimit dhe krijimin e hapësirave të sigurta ku individët mund të testohen pa frikë e pa gjykim.
Vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve, komunitetit dhe individëve mund të arrihet ulja e ndjeshme e rasteve të reja dhe kontrolli efektiv i HIV/AIDS në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.