Shendet

Testi i pështymës mund të ‘shpëtojë’ meshkujt nga kanceri i prostatës

Një test i pështymës mund të ndihmojë në zbulimin e kancerit të prostatës, pohojnë shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai analizon ADN-në e meshkujve për të gjetur se kush ka lindur me rrezikun më të madh të zhvillimit të sëmundjes. Pas një prove, shkencëtarët thonë se testi zbuloi disa kancere agresive që përndryshe do kishin kaluar pa u vënë re.

Megjithatë, testi ende nuk është vërtetuar se shpëton jetë dhe ekspertët thonë se do të kalojnë “vite” përpara se teste të tilla të mund të përdoren në mënyrë rutinore.

Thirrjet për testimin rutinë të meshkujve të shëndetshëm, të njohur si skrining, janë shtuar edhe pse ekzaminimi është refuzuar në të kaluarën sepse përdorimi i testit aktual, i cili kërkon nivelet e antigjenit specifik të prostatës (PSA) në gjak, rrezikon të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi.

Ky test i pështymës nuk kërkon shenja të kancerit të prostatës brenda trupit.

Në vend të kësaj, ai kërkon 130 mutacione në ADN-në e meshkujve, secila prej të cilave mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës.

Në studim, shkencëtarët testuan meshkujt e moshës 55-69 vjeç dhe llogaritën rrezikun e tyre. Burrat në 10% më të lartë të rezultateve u ftuan për hetime të mëtejshme. Kjo përfshinte një biopsi dhe një skanim MRI.

Studimi, i publikuar në New England Journal of Medicine, tregoi:

Nga 745 meshkuj me rezultat të lartë, 187 u zbuluan se kishin kancer të prostatës

103 ishin tumore me rrezik më të lartë që kishin nevojë për trajtim ku 74 prej tyre nuk do të ishin zbuluar në këtë fazë me testet aktuale.

“Me këtë test, mund të jetë e mundur të ndryshohet rrjedha e kancerit të prostatës”, tha Prof Ros Eeles, nga Instituti i Kërkimit të Kancerit, Londër.

“Ne mund të identifikojmë burrat në rrezik të kancerit agresiv që kanë nevojë për teste të mëtejshme dhe të kursejmë burrat që janë në rrezik më të ulët nga trajtimet e panevojshme,” shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë