Shendet

Testet masive, kurthi i deklaratave ka zënë në grackë ministren e Shëndetësisë

Në fjalimin e saj në Kuvend të enjten Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se numri i testimeve është rritur me qëllim këputjen e zinxhirit të infeksionit”.
Kjo deklaratë e ministres së rëndësisë do të kishte mbetur pa tërhequr vëmendjen nëse nuk do të dallohej antagonizmi në qëndrimet e saj, që në kohën kur shpërtheu pandemia dhe vendi u fut në karantinën e sforcuar që goditi nga padituria ekonominë dhe jetën sociale.
Jo më larg se dy muaj më parë, përgjatë mesit të nëntorit Ministrja Manastirliu kishte një tjetër qasje për testimet duke mos i vlerësuar si instrument që siç thotë ajo thotë se “këput zinxhirin e infeksionit”. Ajo do të thoshte:“Lejoni të huazoj fjalët e drejtorit për Europën të OBSH-së, i cili gjatë konferencës pak ditë më parë, tha se testimi nuk është qëllim në vetvete, pa gjurmimin dhe izolimin nuk kufizon përhapjen.” tha në një intervistë televizive Manastirliu.
Në nëntor, atëherë kur ministrja bëri deklaratën se testimet nuk janë qëllim shkalla mesatare e pozitivitetit ishte 30 për qind. Ndërkohë që tani në janar kur testet janë shtuar megjithëse shkalla e pozivitetit kanë rënë mesatarisht në 21 .5 % thuhet se rritja e sasisë së testeve është e domosdoshme.

Gjithashtu, në  një nga video-konferencën e organizuar nga kryeministri Rama në datën 25 mars të vitit të kaluar, Manastirliu ka treguar se nuk mund të testohet e gjithë popullsia, por do të testohen vetëm të dyshuarit.

Këto deklarata të ministres të pa mbështetura në shifra mbi situatën të bën të dyshosh se vetëm një nga pohimet është i vërtet, ose duhen teste shumë ose jo. Të dyja nuk qëndrojnë.
Epidemiologët shqiptarë që nuk janë pjesë e Komitetit Teknik apo strukturave të tjera shtetërore, si Ilir Alimehmeti dhe ErionDasho, prej kohësh kanë kërkuar me intensitet, testim masiv në popullatë, duke thënë se është e vetmja mënyrë e zgjuar që do të ndërpresë zinxhirin e infeksionit.
Sipas epidemiologut klinik Ilir Alimehmeti, imuniteti mburojë, redukton zgjatjen dhe barrën e epidemisë Covid-19, ndaj është shumë i rëndësishme testimi masiv. Ndërsa, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho ka theksuar gjithë kohës se Shqipëria e ka tepër të nevojshme testimin masiv. Madje ai ka sugjeruar që në ditët e para të intensitetit të epidemisë në vend që duhet të bënim mbi 10.000 teste.

Gjithashtu edhe ekspertë të huaj kanë theksuar se testimi masiv bën që qytetarët dhe autoritetet shëndetësore të jenë të vetëdijshëm dhe si rrjedhojë edhe më të kujdesshëm. Sipas të dhënave nga studime të ndryshme kjo metodë do të anashkalojë një shpërthim, duke bërë që të anashkalohen edhe kufizimet e rrepta.
Thirrjet për teste masive u rrëmbyen edhe si kauzë politike e opozitës dhe ishin pjesë e diskutimit gjatë gjithë kohës. Por me vetëmohim Ministria e Shëndetësisë nuk e ka pranuar strategjinë e testeve masive.
Sot kur po afrohet një vit që kur u shfaq pacienti 0, zonja Manastrilu thotë se qenkan te domosdoshme. Ndërkohë që ekonomia pësoi një shok rënie deri në -10 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë