Shendet

Testet e shpejta duhet të merren lirisht nga shqiptarët në farmaci. Ekspertët: Do të kufizonte disi përhapjen

Ndonëse shifrat e të infektuarve janë në rënie dhe jemi përballë një vale të re të Covid-19 numri i testimeve në vend prej disa muajsh tashmë nuk ka kaluar mbi 4000. Kjo gjë kufizon edhe kapjen e rasteve pozitive të mundshme. Testimi bëhet edhe më i rëndësishëm në momentin që jemi përballë valës së variantit Omicron.
Lidhur me këtë Gazetasi.al komunikoi me ekspertë të shëndetit publik për sa i përket “legalizimit” të testeve të shpejta. Për të kuptuar nëse kjo metodë që po përdorin të gjitha vendet europiane do të kishte vlerë edhe në vendin tonë.
I pyetur nga Gazetasi.al për këtë çështje epidemiologu Alban Ylli shpjegon se do të ishte e mundur që testet e shpejta të gjendeshin edhe nëpër farmaci. Ai shpjegon se duhet një koordinim me sistemin shëndetësor për të regjistruar dhe verifikuar rastet pozitive.

Alban Ylli


Sipas mjekut ende ka vend edhe për përmirësim brenda sistemit shëndetësor.
“Duhet të mënjanohen të gjitha barrierat për kryerjen e testit në qendrat shëndetësore. Për shembull ndodh në disa raste personat shkojnë disa here dhe mund humbin disa ditë për një test të shpejtë”, shton epidemiologu.
Më tej Ylli shpjegon se këto probleme po ndodhin edhe me vaksinimin, sidomos tek të rinjtë. Siç thotë mjeku –“personi duhet të kontaktojë mjekun e vetë të familjes, por ndonjëherë nuk e gjen atë në turn dhe dekurajohet se i duhet të presë gjatë për ta takuar. Kthehet dhe nuk vjen më”.
Ylli shpjegon se qendrat shëndetësore duhet të minimizojnë akoma më shumë burokracinë për vaksinimin dhe testin e shpejtë.
Ekspertët e kanë konsideruar testimin tepër të rëndësishëm për të ndihmuar në reduktimin e përhapjes së virusit. Kjo është një tjetër metodë që qytetarët të mos presin rekomandimin e mjekut për të kryer një test të shpejtë.

Ilir Alimehmeti

Lidhur me këtë çështje mjeku epidemiolog Ilir Alimehemeti shpjegon për Gazetasi.al se në këtë mënyrë një individ do të ketë më shumë mundësi testimi e kështu do të mbrojë rrethin e vetë si familjarët, kolegët, shoqërinë.
Alimehmeti shpjegon se edhe më herët e ka rekomanduar këtë qasje. Sipas tij edhe në vende të tjera testin e shpejtë e gjen në farmaci apo edhe supermarkete.
“Testet e shpejta vetjake nuk e kanë ndaluar dot valën e infektimeve thjesht i kanë dokumentuar. Por këto nuk bëhen thjesht që të dokumentohen por të mbrojnë shëndetin. Unë jam pro e hapjes së testimit të shpejtë sepse kursen edhe para”, shton Alimehmeti.

Mjeku shpjegon se e rëndësishme është të jetë testi dhe të jetë mundësia e raportimit të tij. Gjithashtu, Alimehmeti shton se për të parë se si do eci vala tjetër ne nuk duhet të matemi vetëm tek infektimet, por tek shtrimet.
Në faqen kryesore të Qendrave Shëndetësore dhe Parandalimin e Sëmundjeve(CDC) shpjegohet se nëse keni simptoma ose keni pasur një ekspozim të njohur me dikë me COVID-19 të dyshuar ose të konfirmuar, duhet të testoheni, pavarësisht nga statusi juaj i vaksinimit.

Në njoftimin e fundit të CDC thuhet se janë tepër të vlefshme dhe testet vetjake që mund të kryhen në shtëpi. Sipas udhëzimit testet e shpejta në shtëpi duhet të blihen në farmaci ose në dyqane. Testet e shpejta që bëhen vetë mund të përdoren gjithashtu si një nga shumë masat e reduktimit të infektimit, së bashku me vaksinimin, maskën dhe distancimin fizik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë