Motosport

Testet e F1/ Vershtapen në formë të shkëlqyer, dyshime për Mercedesin

Tri ditët e testeve para nisjes së Botërorit të Formula 1 kanë dhënë disa sinjale në lidhje me atë çfarë pritet të ndodhë në kampionat. Red Bull-i dhe Maks Vershtapen kanë dhënë sinjale shumë pozitive duken skuderia dhe piloti më në formë. Yuki Tsunoda me AlphaTauri mund të jetë surpriza, ndërsa Ferrari do të ketë vështirësi.

Vershtapen gjatë dy ditëve të para të testeve ka punuar me goma të mesme, ndërsa në të tretën zgjodhi gomat e buta dhe regjistroi disa xhiro të shpejta radhazi. Makina e tij, RB16B, është mjaft e menaxhueshme dhe reaktive.

Mercedesi, që të shtunën ishte para të gjithëve me Botas, të dielën u kthye te problemet e ditës së parë, që e penguan jo pak Hemiltonin. Të shohësh kampionin e botës të vuajë ashtu është diçka e rrallë. Të shtosh pastaj edhe problemet me kamion në ditën e parë, kuadroja nuk është edhe aq brilante për ekipin kampion bote. Ajo nuk mund të nënvlerësohet kurrsesi, por është fakt që nisja e sezonit mund t’u krijojë hapësirë rivalëve.

Hemilton gjatë testeve në Bahrein. Gazeta Si, 15 mars 2021

Një prej tyre është sigurisht MekLaren, mjaft produktiv gjatë tri ditëve. Daniel Riçardo ishte shumë i shpejtë dhe skuderia nga Uoking duhet ndjekur me kujdes. Ferrari të dielën pati probleme hidraulike, por e mbylli në vend të tretë me Karlos Sainz. Skuderia italiane duhet të tregojë progres, por duhet t’i bëjë llogaritë me progresin e rivalëve si Alpine dhe Aston Martin.

Për t’u veçuar janë provat e shkëlqyera të Alfa Romeos dhe AlfaTauriit, ndërsa Nikita Mazepin pati kënaqësinë të bënte më mirë se Mik Shumaker me Haas. Pas dy javësh fillon kampionati në Bahrein.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë