Gazeta Si – Në ditën e parë të testeve para Botrërorit 2024, tri herë kampioni i botës qëndroi në pistë gjithë ditën në Sakhir. Ishte ai që bëri numrin më të madh të xhirove.
Më i shpejti nga të gjithë në mëngjes, në krye të klasifikimit të kohëve më të mira edhe pasdite dhe po ashtu nën dritat e reflektorëve të Sakhirit. Sezoni i ri nis sërish me shenjën e Maks Vershtapen.
Në timonin e Red Bull RB 20, holandezi i vuri menjëherë të gjithë në rresht me kohën 1 minutë, 31 sekonda dhe 344 të mijëtat. I paarritshëm kampioni i botës dhe manika e re Red Bull, një binom që duket se nuk u bezdis aspak nga prania në bokse e të shumëdiskutuarit Kris Horner.
Pas Vershtapen ishte Lando Norris. Ai mori vendin e Oskar Piastrit në timonin e McLaren MCL38 dhe zuri vendin e dytë, por 1 sekondë e 140 të mijëtat pas liderit. Karlos Sainz (69 xhiro) u rendit i treti. Sharl Leklerk ishte i dyti paradite, por edhe ai larg Vershtapenit me 1 sekondë e 240 të mijëtat.
Koha e 4-t më e mirë për Daniel Riçardon me VCARB01. Piloti australian doli para Pierr Gaslit dhe Lens Stroll. Leklerk, falë kohës së regjistruar paradite, zuri vendin e 7-të, para Fernando Alonsos. Mbyllin 10-shen më të mirë Piastri dhe Zhou.
Fillimi duket një malore për Mercedesin, me Xhorxh Rasëll, që nuk shkoi më shumë se vendi i 12-të, edhe pse qëndroi gjithë ditën në pistë. Përpara tij ishte Uilliams i Logan Sargeant, viktimë e një problemi mekanik, ashtu si shoku i skuadrës Aleksander Albon paradite.
Serxhio Perez dhe Ljuis Hemilton u detyruan të qëndronin spektatorë, pas angazhimit maksimal të Vershtapen dhe Rasëll, por mbi të gjitha nga përparësitë e Red Bull-it dhe Mercedesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.