Ka ndodhur

Terrorizoi banorët te ‘Kodra e Priftit’, në banesë mbante shotgan dhe pistoleta sportive

Disa të shtënat me armë zjarri në lagjen “Kodra e Priftit” në Tiranë alarmuan banorët e kësaj zone këtë të shtunë, të cilët telefonuan policinë se një person qëllonte me armë në ajër.

Në vendngjarje forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë në Tiranë kapën dhe arrestuan të dyshuarin, 48-vjeçarin Adnand Gaxheri, banues në të njëjtën lagje, i cili qëllonte në ajër me fishekë manovër.

Ndërsa në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 4 pistoleta sportive të llojeve dhe markave të ndryshme që përshtaten edhe si armë zjarri, si dhe një shotgun me shënjestër optike, që mbaheshin pa leje.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 6 gëzhoja që ky shtetas kishte qëlluar me fishekë manovër, duke terrorizuar banorët.

48-vjeçari Gaxheri akuzohet për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë