Politike

‘Terroristë mjedisorë’. Zhupa, Kumbaros: Keni dhënë 5.8 mln m2 tokë për investitorët strategjikë

Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e PD Ina Zhupa, në interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro akuzoi qeverinë dhe ministren se po betonizon me ligje zonat e mbrojtura.

Sipas Zhupës, Kumbaro po ua jep këto zona 'investitorëve strategjikë klientelistë dhe gaztorëve të pushtetit.'

Ajo deklaroi se Kumbaro u bë ministre për qëllimin e vetëm për t’i prishur zonat e mbrojtura, duke e quajtur “ministren më duargjatë”.

“Ligj klientelist ai i zonave të mbrojtura. Kumbaro ministrja më jetëgjatë, sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin dhe bëri betonizimin. Bëri heqjen e pikave të mbrojtjes së zonave dhe hapi rrugën për betonime. Po shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. E bëri se me ligjin e përkohshëm të vitit 2018, që e keni shtyrë 4 herë dhe po e bëni për të pestën herë, keni dhënë 5.8 mln metër katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike.

Ju jeni terroristë mjedisorë. Pasi e keni mbaruar gjithë tokën publike që mund t’i jepni investitorëve strategjikë, tani po planifikoni hyrjen në zonat e mbrojtura, ku i përfshirë është edhe Edi Rama. Jo vetëm po shtyni afatin, por propozoni që t’i jepen investitorëve edhe brigjet e lumenjve liqeneve etj,.

Kush ishin investitorët e huaj që thithën investimet strategjikë? Klientët e pushtetit, familjarë të Xhaçkës, gaztorët e oborrit! Këta ishin investitorët strategjikë? Për këta e bëtë? I hapët rrugë investimeve në Manastir, Plazhin e Pasqyrave, të Marinës, të gjitha zona të mbrojtura para se të vinte si ministre Kumbaro.

Por edhe në Vjosë, Nartë, Velipojë, Divjakë, Karavasta dhe Kune. Keni futur zona të thella malore si të mbrojtura dhe keni hequr ato bregdetare për t’i hapur rrugë investimeve. Si ka mundësi që keni 9 vendime të pakonsultuara me asnjë ekspert? Si ka mundësi nuk ke bërë një ligj në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe jo betonizimit?”, deklaroi Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë