Bota

Terror në Dagestan, komando sulmon kishën dhe një sinagogë: 19 të vdekur dhe 25 të plagosur

Gazeta Si - Gjak dhe terror në Dagestan. Dy sulme pothuajse të njëkohshme tronditën dy qytetet kryesore të Republikës më jugore të Rusisë.

Rreth orës 18:00 me orën lokale, (17:00 në Europe), terroristët e armatosur me automatikë hynë në aksion në Derbent, në Detin Kaspik dhe në kryeqendrën Makhachkala.

Kanalet ruse të Telegramit u mbushën menjëherë me imazhe të një sinagoge të djegur dhe një kishe ortodokse nën sulm në Derbent.

Mesazhet e qytetarëve të tronditur nga të shtënat dhe lajmet që vinin nga autoritetet dhanë një ndjenjë kaosi.

Famullitari, At Nikolai, ishte ndër viktimat e para: dhe, sipas disa rrëfimeve ruse në platformën “X”, ende pa konfirmim zyrtar, ai u "therr" ose "i prenë kokën".

Numri tërësisht i përkohshëm flet për 4 civilë, 15 agjentë dhe 6 terroristë të vrarë. Të paktën 25 të plagosur. Luftimet zgjatën për orë të tëra.

Rreth orës 20:00, dhjetëra besimtarë nga kisha e Derbentit ishin ende të bllokuar, ndoshta pengje të terroristëve, ndoshta duke u strehuar në një dhomë, por ende jo në gjendje për të shpëtuar.

Në orët e vona të natës, kërkimi për të eliminuar agresorët ishte ende duke u zhvilluar.

Mjetet e transportit të trupave të blinduara kaluan nëpër rrugët e qytetit duke gjuajtur me mitralozë të rëndë.

Një "gjendje e jashtëzakonshme" u shpall në të gjithë Dagestanin dhe, gjatë natës, u bë një kërkim për një “Volksëagen Polo” të bardhë, ku disa terroristë me sa duket kishin ikur.

Në mungesë të fakteve, është logjike të dyshohet për ekstremizëm islamik, ndoshta drejtpërdrejt në Shtetin Islamik të Khorasanit (Isis-K) i cili goditi në mars në “Crocus City Hall”, në periferi të Moskës.

Në atë kohë, viktimat e një grushti terroristësh mjaft naivë ishin 145 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur.

Kjo është edhe hipoteza e mbështetur nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”, sipas së cilës sulmet e njëkohshme në objektet e kultit në Derbent dhe në një postbllok në Makhachkala janë kryer nga "një organizatë terroriste ndërkombëtare".

Isis-K mund të ketë goditur jo vetëm si pjesë e luftës së saj kundër pushtetit "imperialist dhe të pafe" të Vladimir Putinit, por edhe në solidaritet me palestinezët e Gazës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë