Politike

“Tërmeti” zbret në Parlament, Hajdari: Ne do ta fundosim historinë e paktit të 2008-ës

Për herë të parë Parlamenti ka zhvilluar seancën parlamentare ku deputetët do të flasin posaçërisht për problemet që kanë zgjedhësit. Kjo seancë e posaçme realizohet falë ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, ku një herë në javë deputetët takohen me elektoratin dhe më pas diskutojnë në seancë mbi problematikat që kanë konstatuar. Mazhoranca në diskutimet e saja është foksuar veçanërisht në çështjet e tërmetit dhe masat që mori qeveria për përballimin e pasojave. Ndërsa opozita ka diskutuar edhe për çështjet e tjera siç janë reforma zgjedhore dhe kushti i saj për të realizuar ndryshimin e sistemit.
"Dua të garantoj të gjithë banorët, të gjithë familjet e prekura që shumë shpejt gjithë ky fond solidartiteti që është ëvnë në dispozion të rehabilimit të rimëkëmbjes së këtyre banesave por edhe fondet që do të vihen në dispozicion nga qeveria, njësitë vendore dhe gjithë ata banorë dhe biznese që janë solidarizuar shumë shpejt do të bëjmë të mundur rehabilitimin dhe përballimin e të gjithë situatës post-tërmet", deklaroi Xhaçka.
Për ministren do të mundësohet ndërtimi i shtëpive dhe se fondet e solidaritetit, e të bashkive do të përdoren për këtë çështje.

Ministrja e Mbrojtjes duke folur ne Parlament


"Lajmi i mirë është që për rikuperimin dhe rindërtimin e çdo banese të prekur është çelur tashmë një fond i posaçëm, ku po kontribuojnë përveç qeverisë dhe institucioneve, edhe shumë biznese e individë apo edhe donatorë të huaj, të cilët janë angazhuar për dhënien e fondeve të cilat sot nuk mund të specifikohen ende, për shkak se procesi është në fillimet e tij. Por duke parë ecurinë e mbledhjes së fondeve jam shumë optimiste që ashtu siç vepruam në Korçë, edhe në Tiranë e Durrës do të arrijmë të rikuperojmë çdo dëm, t’ju rikthejmë qytetarëve banesat. Ndërkohë që për ata qytetarë, të cilët duke mirëkuptuar përmasat e sfidës që shteti ka përpara, kanë shprehur gatishmërinë për t’i rindërtuar vetë shtëpitë e tyre, po merren masa për thjeshtimin e procedurave për lejet e ndërtimit", theksoi Xhaçka. Ministres i mungoi koha në dispozicion prej pesë minutash, e kryeparlamentari Ruçi ia ndërpreu fjalën. Por pas ndërhyrjes së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Balla, fjala iu sërish ministres.
Për lajmin fake neës të përhapur në media se të dielën e pas 21 shtatorit do të kishte një tërmet shumë të fortë, nuk ishte në qendër të vëmendjes së ministrave apo të deputetëve socialistë. Atë e përmendi vetëm ish-ministri Fatmir Xhafaj, që e cilësoi të qëllimshëm, duke paramenduar se ishte edhe më ndonjë urdhër politik, duke nënkuptuar nga opozita.
"Po ishim edhe original si shqiptar. Gjatë kësaj jave pamë të shfaqej edhe marrëzia e zakonshme politike për të bërë politikë me tërmetin dhe ca më keq akoma çmenduria e një pjese të vogël të medias për ti shërbyer padronit politik apo edhe për të bërë pazar klikimesh në tregun mediatik. Ka ardhur koha që përmes fuqisë së ligjit akte të tilla të ndëshkohen. Kjo është përgjegjësi ndaj njerëzve, por edhe një mësim i mirë për përgjegjësinë ndaj të vërtetës, si detyrim me interes publik", deklaroi Xhafaj.

Xhafaj duke folur ne Parlament

Për ish-ministrin duhet të kishte edhe një reflektim për këtë situatë të krijuar pas tërmetit. Më së paku është domosdoshmëri nevoja për dokumentimin shkencor të dëmeve, azhornimin e hartës sizmike të vendit, ndërmarrja e një analize shkencore për të përcaktuar zonat problematike që sjellin risqe të mëdha nga tërmetet, për shkak të ndërtimeve të paligjshme ashtu si edhe për digat, urat dhe rezervuarët, shtesat e kateve dhe objekteve pa cilësi të legalizuara pa kriter etj të tilla.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi se në Spitalin e Traumës dhe në atë të Durrësit kanë marrë ndihmë mjekësore pas dy tërmeteve të fuqishme 150 pacientë, ndërsa 5 prej tyre vijojnë edhe sot trajtimin mjekësor. "Nuk patëm asnjë jetë të humbur. Spitalet u vendosën në gatishmëri të plotë. Kanë marrë ndihmë 150 qytetarë të lënduar, pjesa më e madhe morën trajtim te Trauma dhe te spitali i Durrësit. Mbi 1500 thirrje për ndihmë janë pritur nga qendra kombëtare e urgjencës pas tërmetit.Ky shërbim ka qenë në gatishmëri me ambulanca në zonat e prekura nga tërmeti. Solidaritet ka qenë në maksimum edhe nga qytetarët. Është koha që të gjithë të jemi solidarë, që të tregojmë se edhe njëherë mund të ri ngrihemi bashkë për të mos lënë askënd vetëm”-tha ministrja.
Por deputeti i opozitës, Halit Valteri ironizoi qëndrimet e mazhorancës dhe të ministrave mbi masat e marra për pasojat e tërmetit të 21 shtatorit. " Po duket se keni bërë paradë këtu. Po ju them se keni bërë detyrën dhe s'keni shpikur bomëm bërthamore. Zonja ministre doja të pyesja për sa i përket tërmetit real që i keni shkaktuar ekonomisë, me megaskadanlin e tenderave për rrugën Milot-Balldere apo me Kardhiq -Sarandë, pasi me këto lekë mund të ndërtoheshin 3500 banesa cilësore dhe 300 shkolla", theksoi Valteri.

Opozita e re, sistemi dhe s'ka pazare si në 2008
Në diskutimet e tyre opozita veç çështjes së tërmeteve u fokusua te ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ky qëndrim u bë i qartë te fjalimi i deputetes së opozitës së re, Rudina Hajdari, e cila bëri të qartë synimin se do të zhbënte marrëveshjen e prillit 2008, që kësaj here mund të finalizohet mes Ramës dhe Bashës.

"Marrëveshja e 2008 është marrëveshja që opozita parlamentare do të zhbëjë dhe do të fundosë, pasi kemi dy-tre persona që nuk e lëshojnë pushtetin, por duan vetëm të bëjnë riciklim të tij”, tha Hajdari.
Më tej, deputetja Hajdari tregoi çfarë do bëjë opozita parlamentare në vijim, teksa tha në Kuvend se duhen ndarë të inkriminuarit nga pushteti, duhen ndëshkuar kryetarët e partive që futën në listat e tyre njerëz të inkriminuar dhe që sipas saj, e kanë çuar cilësinë e deputeti në një nivel që nuk është parë në këto 30 vite.

Rudina Hajdari

“Ne duam të ndajmë të inkriminuarit nga pushteti, të ndëshkojmë ata kryetarë që kanë futur në listat e tyre njerëz të inkriminuar, ata kryetarë partie që e kanë çuar cilësinë e deputetit në një nivel që s’e kemi parë në këto 30 vite. Ne duam të bëjmë një Reformë Zgjedhore, presim që ndryshimi i sistemit zgjedhor të ndodhë sot, presim që edhe kolegët e ndershëm të PS t’i bashkohen kësaj nisme. Ne duam që ky Kuvend të ketë një sistem që të jetë më përfaqësues dhe qytetarët të zgjedhin vetë se kush do t’i përfaqësojë. Është një nismë shumë e madhe, do dojë shumë ngulmë nga deputetët, por kjo është beteja jonë”, u shpreh Hajdari.

Edhe deputeti tjetër i opozitës, Ralf Gjoni që paraqiti edhe kushtet për votat për ligjet e reformave. Sipas tij opozita nuk do të japë votat për reformën pa u ngritur më parë SPAKU dhe Gjykata Kushtetuese.
"Njerëzit nuk u trembën nga tërmeti, por mendjen e kishin te një tërmet tjetër politik, e kishin hallin te pakti i fshehtë mes Bashës dhe Ramës. Hë më Ralf e bënë marrëeshjen ata. Dua të siguroj qytetarët se nuk do të ketë më pazare në kurriz të tyre, ne nuk do ta japim votën", theksoi Gjonaj.
Seanca e Kuvendit nisi në ora 17:00 dhe zgjati për më shumë se tre orë. Më shumë i ngjajti si një paradë ku ministrat më radhë flisnin për punën e mirë që bënë në qarqet Durrës dhe Tiranë, edhe pse nuk banorë ende nuk janë paguar për rikonstruksionin e shtëpive. Ne kete seance mungonte kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë