Prania e kryeministrit Edi Rama në Konferencën Islamike në Stamboll habiti diplomatë, ish-ministra dhe ekspertë, jo vetëm sepse kreu i qeverisë ka qenë dikur një kritik i anëtarësimit në këtë organizatë , por edhe sepse që prej viti 1992 kur u anëtarësua, Shqipëria është përfaqësuar gjithnjë në nivel ambasadorësh apo zëvendës ministrash.
Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë vetëm në ceremoninë e hyrjes së Shqipërisë në këtë konferencë si president, ndërkohë që si presidenti Ilir Meta ashtu edhe Jozefina Topalli kanë marrë pjesë si kryetarë Kuvendi. Por që nga viti 1992 e deri më tani, Shqipëria nuk është përfaqësuar në nivel kryeministrash.
Pas shtyrjes për të tretën herë radhazi të hapjes së negociatave dhe ndihmës simbolike prej 15 milionë eurosh nga BE-ja për rimëkëmbjen nga tërmeti, duket sikur diçka ka ndryshuar.
Paralajmërimi i ekspertit amerikan, Alon Ben Meir se Shqipëria ndodhet tanimë në udhëkryq mes Turqisë dhe BE-së mori të dielën kuptim konkret. Ndërkohë që Brukseli ka qëndruar i tërhequr, Turqia por edhe vendet e tjera islamike kanë shfrytëzuar terrenin e lirë dhe “muskujt ekonomikë” për të joshur Shqipërinë në orbitën e vet gjeostrategjike. Turqia ishte shteti që reagoi në kohë rekord për të ndihmuar Shqipërinë, pas tërmetit të 26 nëntorit, me presidentin Rexhep Taip Erdogan që i bëri thirrje të gjithë botës islame t’i vinte në ndihmë vendin tonë.
Dhjetë ditë pas kësaj kërkesë dhe ndihmave të njëpasnjëshme të një sërë vendesh islame, Rama u shfaq në konferencën e vendeve islamike ku falënderoi në radhë të parë Turqinë për ndihmën e jashtëzakonshme pas tragjedisë së 26 nëntorit. Konferenca e nivelit të lartë organizohej në fakt nga Turqia, më qëllimin e vetëm për të mbledhur fonde për rimëkëmbjen e vendit tonë nga tërmeti.
“Faleminderit për sot, që më keni dhënë mundësinë për t’iu drejtuar një forumi kaq special”- tha Rama. “Unë nuk ofroj një ringjallje, por po kërkoj dritën në zemrat tuaja. Më lini t’ju kërkoj falej nëse përsëris veten, por kjo dritë u pa te Turqia. Ajo e provoi se i përmbahet urtisë së saj se nuk braktisi një mik të saj. Për këtë dhe për premtimin e presidentit për të ndërtuar 500 banesa kam ardhur t’ju falënderoj e që të bashkoheni me ne në këtë udhëtim të dhimbshëm”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare përpara liderëve të vendeve islame nga mbarë bota.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në OBI-n (emri zyrtar i Konferencës Islamike është Organizata Islamike për Bashkëpunim) ka qenë kaq formale sa në kohën e ish-kryeministrit Berisha, vendi ynë është përfaqësuar nga ish-zv ministrja e Jashtme, Edith Harxhi dhe ambasadori ynë në republikën islame ku mbahej konferenca.
Por me ardhjen në qeveri, Zoti Rama e uli aq shumë nivelin e përfaqësimit, sa Tirana zyrtare prezantohej prej vitesh vetëm nga ambasadorë. Kjo pasqyrohet në të gjitha takimet e konferencës përgjatë viteve të fundit, ku vendi ynë nuk është përfaqësuar më nga zyrtarë të ministrisë së Jashtme. Përveç pakënaqësisë së hershme që nxiti tek SHBA-ja anëtarësimi i Shqipërisë në OBI, një fakt tjetër për këtë politikë të qeverisë” Rama” ishte edhe anëtarësimi i vendit në BE. Shumë deputetë të parlamentit holandez kërkuan që Shqipërisë t’i refuzohej statusi i vendit kandidat Shqipërisë vetëm se ishte anëtare e OBI-t.
Por çfarë ka ndikuar në qasjen e re të qeverisë shqiptare ndaj Konferencës Islame dhe çfarë impakti do të ketë kjo qasje në Bruksel, ku Shqipëria ndodhet përballë një moment delikat për hapjen e negociatave.
Një faktor është pa dyshim ndihma ekonomike e Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare të kësaj konference për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti.
Si Turqia ashtu edhe vendet e Bashkimit Europian, dërguan ekipe inxhinierësh për verifikimin e banesave, ndihma të rëndësishme për përballimin e krizës humanitare dhe qindra ekspertë që për të ndihmuar popullin shqiptar. Por ndihma e Ankarasë nuk është kufizuar vetëm në në ditët e para, por Turqia ka premtuar mbështetje direkte në procesin e rindërtimit. Duke vepruar shumë më shpejt se vendet e BE, Erdogan mobilizoi edhe donatorët e Konferencës Islamike dhe Bankës së Zhvillimit Islam, duke u kërkuar të “ringrejnë Shqipërinë në këmbë”.
Në një video të publikuar nga kryeministri Rama në “Facebook” Erdogan i referohet në çdo fjali shqiptarëve si vëllezër, ndërsa thotë se dy vendet tona janë mike.
“Konferenca Islamike ka 50 anëtarë. Ne po të kapemi dorë për dore, po të bashkojmë fuqitë, nuk ka rëndësi sasia, shumë apo pak, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë. Kuptohet që dëshirat janë të mira. Ne si Turqi po punojmë, por e dimë që nuk është e mjaftueshme. Ne do punojmë, do të vazhdojmë. Zoti Kryeministër i ka dërguar letra dhe kërkesa shumë vendeve. Shpresojmë të marrin përgjigje pozitive këto kërkesa, sepse ne e kemi ndjerë dhimbjen e këtij tërmeti vite më parë në Turqi”, –deklaroi mes të tjerash Erdogan.
Presidenti turk nuk mundi të qëndronte larg betejës gjeostrategjike me Perëndimin, duke u kërkuar vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë që t’i dalin përballë Perëndimit Në fjalimin e tij në Organizatën e Korporatës Islamike, Rexhep Tayyip Erdogan, sulmoi ashpër Izraelin duke thirrje për unitet islamik, duke deklaruar se të gjitha vendet anëtarë të OBI-së, mes tyre edhe Shqipëria, të konfrontojnë Perëndimin dhe konspiracionin e tij kundër shteteve islamike.
“Turqia ka qenë viktimë e sulmeve terroriste, për shkak të qëndrimit parimor që kemi kundër dhunës në Jerusalem. Është më mirë të mbrohen fëmijët, gratë, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuar nga kërcënimet perëndimore”, tha ai.
Por a duhet të jetë Shqipëria, si vend që pret hapjen e negociatave, pjesë e një konferencë ku dëgjohen thirrje kundër Perëndimit?
Mes Lindjes dhe Perëndimit
Për shkak të vendndodhjes gjeografike, jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, janë përfshirë në një betejë gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit. Ashtu siç kanë treguar edhe zhvillimet e fundit, një ndër aktorët më aktivë në vendin tonë është pa dyshim Turqia.
Shqipëria rezulton duke nisur nga viti 1992 si një nga vendet me të drejta të plota të Organizatës Islamike për Bashkëpunim. Por Parlamenti Shqiptar nuk e ka ratifikuar ndonjëherë me votë një pjesëmarrje të Shqipërisë në këtë organizatë, duke e lënë situatën nga pikëpamja juridike të paqartë.
Sipas gazetarit shqiptaro-amerikan, Ruben Avxhiu, shqiptarët nuk janë të vetmit që shohin një kontradiktë mes vendeve Islame nga Lindja e Mesme dhe Perëndimit .Ai thotë se shqiptarët duan të shkojnë vetëm drejt Perëndimit., të mahnitur pas suksesit ekonomik, por edhe sepse ai simbolizon gjithashtu lirinë dhe demokracinë.
“Lufta mes Perëndimit dhe vendeve islame është debatuar në akademitë më të njohura të botës. Në mendjen e shumë njerëzve dhe jo vetëm në Shqipëri duhet të zgjedhësh mes anëtarësisë në Konferencën Islamike dhe në asaj në Bashkimin Europian, argumenton kryeredaktori i “Ilria Press”. “Vendet që qëndrojnë në mes nuk i takojnë askujt. Shumica e shqiptarëve besojnë se kombi ynë e ka humbur dy herë rrugën e tij të natyrshme duke u ndarë nga Perëndimi, së pari prej pushtimit turk dhe pastaj prej komunizmit dhe janë të vendosur se nuk duhet dhe nuk mund të gabojë për herë të tretë, thotë ai.
Afrimi mes të Shqipërisë dhe Turqisë ka qenë shpeshherë edhe në fokusin e medias ndërkombëtare, duke kritikuar në jo pak raste edhe faktin se Tirana zyrtare duhet të vendosë për rrugën e saj. Në një analizë të The Global List, analisti Alon Ben-Meir shkruan se Shqipëria duhet që të zgjedhë mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Në artikull theksohet se Turqisë dhe Erdogan i pëlqen të luajë një rol aktiv në vendet e Ballkanit.
“Qëllimi i Erdoganit është të sigurojë një dozë të vogël zhvillimi ekonomik në Shqipëri, derisa vendi më në fund i nënshtrohet ndikimit të tij. Megjithatë, nëse Shqipëria po synon të shkojë drejt Bashkimit Europian, siç thotë zyrtarisht, duhet të jetë e kujdesshme për atë që dëshiron. Nuk duhet të lejojë Erdogan që të dominojë vendin. BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri në Bashkimin Europian që është thellësisht i lidhur me Erdogan, veçanërisht tani që dëshira e tij e zhveshur për të dominuar në Ballkan është e qartë për të gjithë”, thuhet në analizën e Ben-Meir.
Ndërsa Avxhiu thotë se “Anëtarësia në Konferencën Islamike ngjan si një anomali. Një ecje drejt Lindjes në vend të Perëndimit. Madje më keq, si një pengesë për procesin më të rëndësishëm të shekullit të fundit, integrimin në BE, zyrtarizimin e kthimit mes popujve perëndimorë ku shumica shqiptare beson se e ka vendin. Në këtë kontekst, shqiptarët nuk kanë durim për asgjë që mund t’i pengojë në rrugën tashmë tepër sorrollatëse nga rënia e komunizmit te pranimi si një nga demokracitë e Europës së bashkuar”, argumenton gazetari.
Edhe për studiuesin e njohur shqiptar, Piro Misha, anëtarësimi në OBI ishe një hap i gabuar i Shqipërisë e cila sipas tij nuk duhet të identifikohet fetarisht pasi këtë e ndalon edhe Kushtetua e vendit.
Por duhet të dalë Shqipëria nga kjo konferencë?
Për shumë vite, prezenca e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve Islamike (OKI) është komentuar si devijim nga orientimi pro-perëndimor i Shqipërisë apo si tregues i ngjyresave pro-islamike të qeverisë shqiptare dhe vazhdimisht është bërë thirje për daljen nga kjo organizatë.
Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësinë e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.
Në një artikull, diplomati Mustafaj thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj organizate pasi, se prezenca e Shqipërisë është parë si e vlefshme për perëndimin edhe nga ish-Presidenti francez, Miteran:
“Unë vetë asokohe, në një takim me Presidentin Miteran, gjeta mundësinë t'ia drejtoja atë pyetje që shtrohej gjerësisht në Tiranë e ndaj të cilës edhe unë vetë kisha sigurisht ndjeshmërinë time. A do të përbënte anëtarësimi në Konferencën Islamike, pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Presidenti Miteran kërkoi të dinte vetëm se me çfarë kushtesh kishim hyrë ne në këtë organizatë. Dhe kur unë i shpjegova se kushti i pakapërcyeshëm ishte respektimi i Kushtetutës tonë, ku sanksionohet se shteti shqiptar është laik dhe nuk ka asnjë fe zyrtare, ai m’u përgjigj fare thjesht. Më tha se ishte mirëfilli në interesin e Europës, që sa më shumë vende si yni të kishin zë në gjirin e kësaj
Argumenti kryesor për prezencën e Shqipërisë në OKI duket të jetë lobimi për njohjen e Kosovës. Por duket, gjithashtu, sikur ekziston një keqkuptim serioz në publik mbi natyrën dhe përbërjen e kësaj organizate. Anëtarësimi i Shqipërisë në OKI është komentuar shpesh në media si një ngërç politik që na mban mbrapa, na mban të ndarë nga perëndimi dhe na vonon hyrjen në Bashkimin Evropian.
Studiuesi dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Luan Rama ka deklaruar vazhdimisht për mediet se anëtarësimi i Shqipërisë në OBI i hapi dyert xhihadizmit dhe elementëve të veçantë radikal në vendin tonë, ndërsa anëtarësimin ia faturon ish-kryeministrit Sali Berisha. “Vendi ynë u bë problematik në kohën kur Shqipëria e futur dhe e bekuar nga Berisha në Konferencën Islamike u hapi dyert fondacioneve fetare dhe ‘bamirëse’, këtyre fondacioneve fantazmë me shtetas arabo-shqiptarë, të cilët fshihnin terroristë të kërkuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Por kjo epokë mund të konsiderohet e kapërcyer. Shteti shqiptar aktualisht është në vigjilencë për të vepruar kundër çdo shfaqjeje xhihadizmi”, deklaronte Rama kohë më parë.
Kabllograme të tjera citojnë z. Basha të sugjerojë se Shqipëria po konsideron largimin nga kjo organizatë, pjesërisht e zhgënjyer që nuk ka pasur aq mbështetje për Kosovën sa pritej. Por prezenca e saj apo largimi në të ardhmen, është një vendim që duhet të merret në terma pragmatistë të politikës së jashtme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.