Bota

Tërmeti në Turqi-Siri, mbi 22 mijë të vdekur. Orët e fundit për të zbuluar njerëz nën rrënoja

Gazeta Si – Pesë ditë pas tërmetit katastrofik në Turqi dhe Siri, raportohet se më shumë se 22 mijë persona kanë vdekur në të dyja vendet.

Tashmë ekipet e kërkim-shpëtimit po luftojnë me kohën dhe temperaturat e ftohta për të nxjerrë të mbijetuarit nga ndërtesat e shkatërruara.

Numri i të plagosurve në Turqi dhe Siri është të paktën 78,124 persona. Një autokolonë me ndihma nga OKB kaloi të enjten nga Turqia në veriperëndim të Sirisë, që prej herës së parë pas tërmetit. 6 kamionët dërguan pajisje për strehim dhe të mira të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, tha se është i hapur për idenë që të dërgojë ndihma edhe nëpërmjet pikave të tjera kufitare, përveç Bab al-Hawa, i cili është i vetmi korridor humanitar i aprovuar nga OKB mes Turqisë dhe zonave që mbahen nga rebelët në veri të Sirisë.

Në Siri, shkatërrimi është i paimagjinueshëm. Pasojave të tërmetit i shtohet edhe kriza humanitare si pasojë e luftës civile. Miliona njerëz që banojnë në veri të Sirisë, shumica e së cilës kontrollohet nga rebelët antiqeveritarë, po vuajnë efektet e varfërisë ekstreme dhe shpërthimit të kolerës.

Sa i përket Turqisë, Banka Botërore ka premtuar 1.7 miliardë Dollarë duke përfshirë financim të menjëhershëm për të rindërtuar infrastrukturën bazike dhe për të mbështetur të prekurit nga tërmeti.

Donacione të tjera do të shkojnë edhe nga SHBA, e cila ka premtuar një paketë prej 85 milionë dollarësh për të dyja vendet.

Presidenti i Turqisë e quajti tërmetin “katastrofën e shekullit”. Të enjten, ndihma e parë humanitare e OKB-së kaloi kufirin në Sirinë veri-perëndimore përmes vendkalimit Bab al-Hawa të Idlib.

Kalimi është e vetmja mënyrë që ndihma e OKB-së mund të arrijë në rajon pa udhëtuar nëpër zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare siriane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë