Bota

Tërmeti në Bosnjë, humb jetën një vajzë dhe plagosen disa të tjerë

Gazeta Si – Një grua e re ka vdekur dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur si pasojë e  tërmetit të fuqishëm në Bosnjë në orët e vona të 22 prillit.

Tërmeti, për të cilin është raportuar pak pas orës 23:00, është ndier në Bosnjë, Kroaci, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë.

Drejtori i spitalit në Mostar ka konfirmuar se gruaja 30 vjeçe që ka vdekur është plagosur në qytetin e Stolacit.

Ajo është gjetur mes rrënojave, pasi një pjesë e kodrës është shembur mbi shtëpinë e familjes së saj, kanë thënë autoritetet shëndetësore.

Ajo ka qenë e vdekur kur është dërguar në spital, kanë thënë autoritetet, duke shtuar se tre të tjerë janë po ashtu me plagë.

“Ata kanë ardhur me gërvishtje dhe ndrydhje kyçesh teksa kanë qenë duke ikur”, ka thënë shefi i spitalit, Kazimir Raguz.

“Ka pasur edhe lëndime të lehta në kokë për shkak të rënies së objekteve nëpër shtëpi, mirëpo jo diçka shumë serioze. Të gjithë ata janë liruar për trajtim shtëpiak”.

Në qytet ka makina dhe kulme të shtëpive të dëmtuara.

Tërmeti i shkallës 5.7 ka pasur epiqendrën rreth 42 kilometra në juglindje të qytetit të Mostarit dhe thellësi rreth 5 kilometra, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiano-Mesdhetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë