Ekonomi

Tërmeti i dha ofertë korrupsionit, qeveria tregon si do mbrohet

Llokma e madhe e fondeve për rindërtimin pas tërmetit i ka zgjuar hienat e korrupsionit të cilat kanë parë një mundësi për të përfituar duke mbivlerësuar dëmet ose duke futur në lista përfitues të pamerituar. Doza e mosbesimit tek autoritetet lokale dhe mbajtja e të dhënave në shumë duar siç duket e kanë ngadalësuar procesin e evidentimit të dëmeve me dy muaj. Frika se procesi mund të korruptohet dhe ekzagjerohet me shumat financiare i ka tërhequr më shumë vëmendjen qeverisë drejt një zgjidhje për të minimizuar këtë faktor dhe për t’i dhënë mundësi kryeministrit Rama që çdo gjë ta ketë në kontroll, kabineti i tij qeveritar ose më saktë një grup sekret : “që ju nuk do ta njihni” iu tha të mbledhurve kur prezantoi plaftormën online , përmes së cilës qytetarët e dëmtuar nga tërmeti mund të hedhin individualisht të dhënat. “Të gjithë ata që cenojnë procesin duke abuzuar me të e duke bërë qoka, do të ndëshkohen” –tha kryeministri. “Rindërtimi është vetëm për të prekurit nga tërmeti, prandaj nuk do të lejojmë degradimin e procesit në situata që do të vinin në pozitë të vështirë të gjithë me qoka”.

Ndoshta zgjedhja që bëri qeveria mes opsionit -më mirë ca më vonë dhe ngadalë në procesin e vlerësimit ë familjeve të dëmtuara sesa një rindërtim të kapur nga korrupsioni që do të ketë kosto nesër më të madhe për qytetarët- është më i mirë në kontekstin kur Shqipëria është në vendin fundit në Europë si më e korruptuara. Por produkti i saj teknologjik siç është platforma online duket pak groteske. Ti thuash banorëve në fshatra se do të duhet të aplikojnë on line nga telefoni, tableti apo kompjuteri duke nisur nga data 29 janar (të mërkurën) brenda një periudhe kohore 30 ditore, duket e pamundur në vendin më të varfër që është prapa të gjithëve për mënyrën, familjarizimin apo asksesin me teknologjinë.

Megjithatë qeveria nuk i përjashtuar plotësisht zyrtarët e terrenit. Nëse në dosjen on line të aplikantit mungon ndonjë dokument, ministri për rindërtimin Arben Ahmetaj urdhëroi punonjësit e njësive administrative që duhet ta plotësojnë ata “jo qytetarët që po vuajnë ende pasojat e tragjedisë të bredhin për dokumente”.

Pritet që në muajin mars të nisë rindërtimi i objekteve. Sipas kryeministrit, shtëpitë në zonat rurale dhe institucionet arsimore e shëndetësore do të përfundojnë brenda vitit, kurse shtëpitë e banimit në qytet do të përfundojnë në 2021-in.

Përmes platformës on line, të gjithëve që do tu ndërtohet shtëpia, sipas kryeministrit Rama do të kenë mundësi ta ndjekin procesin vizualisht hap pas hapi.

Qytetarët në bazë të masës sa janë prekur do të përfitojnë nga 100 mijë lekë deri në rindërtimin e shtëpisë nga e para.

Në zonat rurale do të ndërtohet kolektivisht sipas modeleve të përcaktuara.
“Do të bëjmë shtëpi që do të bëjnë diferencën me të shkuarën. Do të krijojmë komunitete, jo në mënyrë kaotike. Do të zhvendosim këto familje nga rrënojat e shtëpive ekzistuese në qendra që krijojnë komunitet. Pronat e tyre mbeten të tyre, ndërkohë që ata do të marrin shtëpitë e tyre në një pronë që nuk është e tyre. Është e vështirë, nuk është e lehtë, por do t’ia dalim”- tha Rama.

Duke nisur nga 6 shkurt Enti Kombëtar i Banesave përfundon prokurimin për modelet për ndërtimet antisizmike dhe standarde të BE-së. Kurse në 7-10 shkurt njësitë e autorizuara apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të hapin prokurimet për ndërtimin e banesave.
Kurse 10 marsi, sipas Ramës, do të ketë kompanitë e para të cilat do të nisin të ndërtojnë apo të montojnë njësitë individuale në zonat e dëmtuara në bazë të ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë