Para

Tërmeti-Dëmi fillestar 7 mln euro tek monumentet historiko-kulturore

Shqipëria vitin që shkoi u përball me pasoja të rënda nga tërmeti tragjik, prej të cilit humbën jetën 51 qytetarë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën dhe humbën shtëpitë e tyre. Kjo fatkeqësi natyrore nuk kaloi pa lënë pasoja në monumentet historiko-kulturore të vendit tonë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ftuar në “Euronews Albania” foli për dëmet dhe masat që ka ndërmarrë qeveria për të përballuar restaurimet e objekteve historike.

Ajo theksoi se dëmi i paraprak i përllogaritur në objektet kulturore arrin në 7 milionë euro, por kjo shifër shtoi ajo, nuk është përfundimtare pasi kostoja mund të shtohet në varësi të studimeve që do të kryhen nga specialistët e fushës.

“Kostoja është përllogaritur në fakt. Është një kosto tejet e lartë, por që në të vërtetë është një kosto dinamike dhe mund të shtohet edhe akoma më tepër. Këtë e ka vërtetuar edhe fakti që nga momenti që kemi paraqitur këtë kosto në raportin e Brukselit e në vijim me anë të analizave të tjera, të cilat kanë vazhduar, kostoja vazhdon dhe shtohet, sepse nuk ka të bëjë me koston e mirëfilltë. Kemi një kosto, e cila në fillim u përllogarit gati në 7 milionë euro, por siç thashë tashmë janë shtuar edhe shumë kosto të tjera. Ne do të vazhdojmë të kryejmë këto projekte dhe faza në fakt e menjëhershme do të jetë ajo e hartimit të projekteve të thelluar të detajuar, jo vetëm restauratorë, por edhe me inxhinierë dhe përgjithësisht edhe me inxhinierë, të cilat kanë ekspertizën e shtuar për dëmet post tërmetit”-tha ajo.

Por, cilat vende historike janë në prioritetin e qeverisë shqiptare, për këtë çështje ministrja e Kulturës, Elva Margariti dha këtë përgjigje: “Ndahen në disa kategori. Ashti siç cituat edhe ju: Kalaja e Krujës, Kalaja e Prezës, muri rrethues Bizantin i Durrësit, Kalaja e Durrësit, Torra e Durrësit janë patjetër për simbolikën historike monumente, të cilat kanë nevojë emergjente, por jo më pak Muzeu Historik Kombëtar, Galeria e Arteve ose çdo sit i vizituar nga vizitorët, edhe pse dëmi nuk mund të jetë deri në humbjen e monumentit krijon patjetër një ndjesi jo të mirë të vizitorëve”, shtoi ministrja.

Ministrja, Elva Margariti, u ndal gjithashtu edhe tek ndihma prej 800 mijë dollarësh, shumë kjo, e cila u akordua dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për restaurimin e Kalasë historike të Krujës.  Ajo foli për takimin që zhvilloi dje me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

“Ky fond që është fond i ambasadorit pranë SHBA është fond, i cili në të vërtetë vihet në dispozicion për disa shtete, të cilat aplikojnë çdo vit për të pasur mundësinë e kësaj mbështetjeje, dhe me gatishmërinë më të madhe SHBA vendosën që ky fond duhet të ishte në mbështetje të dëmeve të tërmetit të Shqipërisë. Në takimin e djeshëm që zhvillova me ambasadoren, ajo më shprehu gatishmërinë që ky fond do të shkonte në drejtim të Kalasë së Krujës. Kjo do të jetë një shifër që në të vërtetë nuk do të mbulojë absolutisht të gjithë nevojën që përllogariten në disa miliona euro të dëmit në Kalanë e Krujës, pasi siç e thashë lidhet ngushtësisht me lëvizjen e masivit shkëmbor që ndodhet në bazën e kësaj kulle, por megjithatë do të jetë një kontribut i madh”, u shpreh ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë