Ngjarje

Tërmete nga shpimet për naftë? BE: S’ka asnjë provë shkencore

Pas serisë së termeteve që kanë goditur vendin tonë muajt e fundit është rikthyer në qarkullim një teori konspirative që i lidh lëkundjet e tokës me kërkimet dhe nxjerrjen e naftës e të gazit në Mesdhe. Por, Komisioni Europian thotë se nuk ka prova shkencore që të lidhin këto kërkime dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit përmes metodave të injektimit të gazrave natyrorë të lëngshëm në nëntokë, me tërmetet.

Kjo përgjigje u është kthyer dy eurodeputetëve spanjollë që e institucionalizuan këtë shqetësim të qytetarëve të tyre. Eurodeputetët Sira Rego dhe Manuel Pineda kanë pyetur Komisionin më 15 tetor nëse aktiviteti për nxjerrjen e gazit në katër projekte të ndryshme Parkun Kombëtar të Donanas në jug të Spanjës lidhej me lëkundjet sizmike që janë raportuar në këtë zonë.

Komisioni i përgjigjet duke thënë se nuk ka prova shkencore që të lidhin aktivitetin sizmik me katër projekteve në fjalë, megjithëse shton se nisur nga direktivat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit, kompanitë private u detyruan që të ndërmarrin një sërë masash parandaluese, përfshirë ngritjen e një rrjeti për monitorimin e aktivitetit sizmik.

Metoda e nxjerrjes së naftës përmes injektimit të gazit të lëngshëm natyror. Gazeta Si, 3 dhjetor 2019

Këto lidhje i mohuan në 2018 edhe studiuesit italianë. Gjeologu Aldo Piombino rrëzonte këtë teori pas një tërmeti me 3.7 Rihter që goditi brigjet e Adriatikut më 24 mars të atij viti. Në analizën e publikuar prej tij katër ditë më vonë sqarohet se epiqendra e tërmetit ishte 28 kilometra në thellësi dhe në një distancë 50 kilometra nga platforma më e afërt e nxjerrjes së gazit në Adriatik.

“Mjaftojnë këto dy të dhëna për të treguar se nuk është e mundur as lidhja minimale mes këtyre dyjave”, thotë ai.

Arsyeja se përse nuk gjendet lidhje në këtë rast, gjeologu italian thotë se është distanca e largët mes epiqendrës së tërmetit dhe pusit gaz e naftënxjerrës më të afërt. Por, edhe nëse epiqendra do të ishte në të njëjtën zonë, sërish Aldo Piombino mendon se aktiviteti i injektimit të gazrave të lëngshëm nëntokë është i papërfillshëm për të ndikuar apo ndryshuar rrjedhën e fenomeneve të nëntokës.

Lidhja e këtyre dy fenomeneve ka qarkulluar më së shumti pas 2015, kur dy shkencëtarë amerikanë, Mark Zoback dhe Rall Walsh publikuan në revistën “Science Advances” një studim që lidhte aktivitetin sizmik në një zonë të Oklahomas me aktivitetin naftënxjerrës të një kompanie në atë zonë. Studimi rrekej të krijonte lidhjet mes injektimit të gazrave të lëngshëm natyrorë të kompanisë me lëkundjet sizmike dhe shkaktoi protesta të banorëve dhe shoqërisë civile.

Kjo bëri që autoritetet të nisnin një hetim paraprak, në përfundim të të cilit nuk u gjet kurrë lidhja mes shpimeve e kërkimeve për naftë me lëkundjet e lehta të tokës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë