Motosport

Tërhiqet Valentino Rosi, piloti i 9 titujve botërorë dhe numrave prej alieni

Ja ku erdhi momenti! Data 5 gusht do të mbetet në historinë e motoçiklizmit për tërheqjen nga garat të Valentino Rosit, 9 herë kampionit të botës.

Italiani ka zyrtarizuar vendimin përpara gazetarëve, me sytë gati në lot, por me buzëqeshjen e përhershme. “Vendosa të tërhiqem në fund të sezonit. Është shumë e vështirë të marr këtë vendim, do të doja të garoja edhe 25 vjet, por erdhi momenti për të thënë “mjaft”. Për fat të keq, do të jetë sezoni i fundit si pilot i MotoGP.

Rosi gjate nje gare. Gazeta Si, 5 gusht 2021

Është e trishtueshme të mendoj se vitin e ardhshëm nuk do të garoj me një motor. E kam bërë këtë për gati 30 vjet dhe vitin e ardhshëm jeta ime do të ndryshojë nga një pikëpamje. Por ishte diçka madhështore, jam argëtuar shumë. Ishte një rrugëtim i gjatë dhe shumë zbavitës, me momente të paharrueshme me skuadrën time dhe gjithë djemtë që punojnë me mua. Jam menduar gjatë. E përsëris, ishte vendim i vështirë, në çdo sport rezultatet bëjnë diferencën dhe mendoj se ishte rruga e duhur”, – është shprehur Rosi.

Piloti i njohur ka tifozë në gjithë botën dhe për ta ka këtë mesazh: “Ishte një udhëtim i gjatë së bashku. Sumë persona që sot bëjnë tifo për mua, apo garojnë me mua, nuk kishin lindur kur unë isha në pistë. Ishte një mbështetje e jashtëzakonshme, çka më bën krenar”.

Pastaj Rosi ka komentuar edhe të ardhmen, që duket se është e lidhur jo më me 2 rrotat, por me 4 rrotat. “E ardhmja? Do të garoj me makina, por është ende një projekt në letër. Nuk kam marrë asnjë vendim. Ndihem një pilot motorrësh dhe makinash, kështu do të jem gjithë jetën. Do të garoj gjithsesi”.

Valentino Rosi. Gazeta Si, 5 gusht 2021

Numra prej alieni
Të paktë janë ata si Valentino Rosi në sport, jo vetëm për 9 titujt botërorë të fituar me klaset 125, 250, 500 dhe pastaj MotoGp. Figura si ai janë vërtet të rralla. “Doktori” ka pasur aftësinë të kthehet në një personazh më të madh se sporti që praktikon. Një shembull për shumë gjenerata.

Nëse flasim për anën e pastër sportive, numrat janë impresionues. Nëntë tituj botërorë, një arritje që vështirë se mund të barazohet në erën moderne, ku ekuilibrat ndryshojnë me shpejtësi. Përpara Rosit janë vetëm Giacomo Agostini me 15 tituj dhe Angel Nieto me 13.

Janë deri tani 423 garat e zhvilluara prej tij në të gjitha llojet e motorëve dhe mund të bëhen 432 në fund të sezonit. Nga këto, 235 herë Valentino Rosi ka qenë në pod dhe numëron 115 fitore. Në MotoGp ka një rekord absolut prej 89 suksesesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë