Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka takuar përfaqësuesit e bizneseve fasone në vend dhe u ka garantuar atyre mbështetje.
Me anë të një postimi Rama thotë se ky sektor do të ndihmohet nga qeveria për të mbyllur vetë ciklet prodhuese dhe për t’u bërë më konkurrues, por jo më me metodat e vjetra.
Në takim, qeveria i ka garantuar përfaqësuesve të fasonëve mbështetje për kapërcimin e sfidës, nga investimet në teknologji, njerëz e deri tek kredia e lehtësuar.
LEXO EDHE:
– ‘Situata me fasonët, e dhimbshme’, Rama: Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës, ka vdekur
– Falimentim zinxhir i fasonëve, rreth 1 mijë shqiptarë dalin të papunë brenda janarit
“Në “Shtëpinë e Biznesit” me fasonët, për të diskutuar mbi nevojat për transfomimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht” shkruan kryeministri në Facebook-un e tij.
Ndërhyrjet që parashikon qeveria në ndihmë të kësaj industrie janë rimbursimi i TVSH-së në një kanal vetëm për to, ofrimi i overdrafteve me kushte të lehtësuara, garanci sovrane për investime në teknologji si edhe një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani.
Shumë biznese fasonësh në vend kanë shpallur falimetimin me nisjen e 2024-s, pasi mungesa e fuqisë punëtore, kostot e rritura dhe zhvlerësimi i euros e kanë bërë të vështirë mbijetesën e tyre në treg. Pak ditë më parë, vetë Rama tha se nuk do t’i ndihmonte këto biznese dhe se duhet të përshtaten me normalitetin e ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.