Socialistët janë tërhequr nga vendimi për të zhvilluar online mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare dhe kanë pranuar kërkesën e Partisë Demokratike që këto mbledhje të mbahen me prani fizike të tyre, por me dissa kushte.
“Duke filluar nga java tjetër do t’i propozojmë konferencës së kryetarëve që mbledhjet të zhvillohen në sallë duke respektuar distancat dhe çdo deputet do të duhet që të vetëdeklaarojë certifikatën përkatëse, ajo që quhet Green Pass”, tha para gazetarëve kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Për të garantuar se deputetët nuk do t’i shmangen këtij detyrimi të mundshëm, deputeti socialist, Erion Braçe propozoi që Instituti i Shëndetit Publik të bëjë publikë emrat e deputetëve që janë vaksinuar me të dyja dozat e Covid.
“E thjeshtë: Ministria e Shëndetësisë, ISHP t’i thonë Kuvendit dhe publikut sa deputetë kanë bërë vaksinën me dy doza, sa deputetë nuk e kanë bërë dhe cilët. Deputetët të depozitojnë certifikatën e vaksinimit në Kuvend, testin PCR/RT nëse nuk janë vaksinuar, të mbajnë distancë, maskë e lajnë duart në çdo ambient të Kuvendit, korridore e salla mbledhjesh, kaq!”, propozon Braçe.
Nga Partia Demokratike nuk e cilësojnë këtë si një fitore. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rushaj e përshëndeti vendimin e socialistëve, por tha se ai ishte rikthim në ligjshmëri.
“Nuk e konsideroj si betejë të fituar. Ata kanë rënë dakord që të zbatojnë ligjin. Është kaq e thjeshtë dhe nuk do të doja që të drejtën që qytetarët shqiptarë kanë në bazë të rregullores dhe Kushtetutës për transparencë, për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend teksa diskutojnë për projektligje, për nismat që do të prekin jetën e tyre, të quhet si fitore”, tha Rushaj.
Nga tetë komisionet e përhershme, puna deri më tani u zhvillua normalisht vetëm në Komisionin e Ekonomisë, ku PD kërkoi që të thirret për raportim Autoriteti i Konkurrencës në lidhje me rritjene çmimit të bukës me 10-20 lek. Në shtatë komisionet e tjera, deputetët e opozitës në salla u përplasën me kryetarët e komisioneve të drejtuara nga socialistët, ndërsa socialistët bojkotuan komisionet e drejtuara nga demokratët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



