Ushqim

Tërhiqet nga tregu qumështi formulë ‘NAN OPTIPRO’, Shqipëria njofton dy javë më vonë se Europa

Nga Gazeta Si- 2 javë pasi vendet europiane kanë njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN OPTIPRO 1”, ka ardhur edhe njoftimi i AKU në vendin tonë.

Në 5 janar 2026, autoritetet ushqimore në disa vende europiane nisën paralajmërimet publike për tërheqjen nga tregu të loteve të caktuara të formulës për foshnje NAN 1 OPTIPRO, si masë parandaluese pas dyshimeve për praninë e toksinës cereulide, e lidhur me bakterin Bacillus cereus. Ndërkohë, në Shqipëri njoftimi publik erdhi me vonesë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe ritmin e informimit të konsumatorëve.

Të dhënat publike tregojnë se reagimi në Europë ishte pothuajse i njëkohshëm në disa shtete.

Nestle Malta publikoi  njoftimin zyrtar për tërheqjen vullnetare të disa loteve të formulave për foshnje, përfshirë NAN OPTIPRO 1, duke i kërkuar konsumatorëve të mos e përdorin produktin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes me datë 5 janar.

Njoftime nga vende të tjera si Italia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Finlanda, Franca dhe Suedia erdhën në datat 6 dhe 7 janar.

Në këto vende, paralajmërimi publik u bë menjëherë pas vendimit të Nestle për tërheqje, edhe pse rreziku ishte potencial dhe jo i konfirmuar me raste konkrete sëmundjesh.

Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e mësipërme, njoftimi publik për tërheqjen nga tregu të NAN 1 OPTIPRO u bë në datë 20 janar.

Thënë kjo, ndërkohë që vendet e Europës e kishin tërhequr produktin nga tregu, në Shqipëri vijoi të shitej edhe për dy javë të tjera.

Një nga arsyet kryesore të vonesës është se në praktikë, autoritetet europiane reagojnë dhe informojnë konsumatorët më herët, ndërsa Shqipëria nis procesin e vet të verifikimit pasi alarmi është tashmë i njohur në disa tregje të tjera.

Gjithashtu, ndërkohë që vendet e tjera njoftojnë tërheqjen vullnetare të produktit, edhe pse nuk ka indicie për sëmundshmërinë e personave që e konsumojnë si dhe njoftimi mund të vijë nga vetë kompania që operon në atë vend (si në Maltë që njoftimin për tërheqjen e produktit e ka dhënë Nestle Malta) në Shqipëri masat kufizuese për nxjerrjen në treg të ushqimeve si dhe heqjen e tyre nga tregu, nëse ka dyshime të argumentuara shkencërisht se ushqimi është i pasigurt, përcaktohen, pёr çdo rast, me urdhër të Ministrit të Bujqësisë. Kjo masë merret pas rezultateve të vlerësimit të riskut.

Disa ditë më parë, po një produkt i Nestle është tërhequr nga tregu sepse është konstatuar prania e substancës Cereulide në qumështin formulë BEBA për fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë