Lojëra me Dore

Tërheqja e Sinner / Plani për t’i marrë kreun Djokovicit shtyhet për në Paris

Jannik Sinner u tërhoq nga turneu i Madridit, tenisti italian më i spikaturi për momentin, nuk u paraqit për sfidën çerekfinale ndaj Felix Auger-Aliassime, me këtë të fundit që kualifikohet automatikisht në  gjysmëfinale të turneut. Italiani nuk mundi të vazhdojë turneun madrilen për shkak të një tërheqjeje në ijë, ndërkohë që me këtë tërheqje shtyhet misioni për ti marrë kreun e klasifikimit ATP Novak Djokovic, një arritje që nuk mund të realizohet në turneun pasardhës të Romës.

Sigurimi i kreut është thjesht çështje kohë dhe me shumë mundësi do të realizohet në Roland Garros, maksimumi në Wimbledon. Sinner del del nga Madridi me 8860 pikë dhe do të prezantohet në Romë me 8770 pikë, pasi do t’i zbriten 90 pikët e siguruara në 2023.

Novak Djokovic do të jetë në Foro Italico me 9810 pikë, me 180 të zbritura të 2023. Pra edhe nëse serbi nuk bën asnjë pikë dhe Jannik fiton turneun në Romë, nuk mund të arrijë kreun. Sinner në maksimum mund të arrijë në 9770 pikë shumë pranë Djokovic, por pa mundur ta parakalojë, mision që, sipas të gjitha gjasave, do të realizohet në Roland Garros.

Në këtë mënyrë serbi do të jetë kokë serie numri 1 në Paris me Jannik numri 2, me një sfidë eventuale mes të dyve, që mund të ndodhë vetëm në finale. Ndërkohë, për sa i përket klasifikimit me çerekfinalet e arritura në Madrid ndërthurur me disfatën e Alcaraz që mbronte titullin, Jannik Sinner ka rritur distancën me spanjollin e vendit të tretë duke siguruar vendin e dytë me një hendek që është e pamundur të mbushet para turneut në Paris. (Supersport)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë