Gazeta Si – “Kina deklaron një numër relativisht të ulët të shtrimeve në spital në kujdesin intensiv, por nga ajo që dëgjojmë (dëshmitë, fotot dhe videot në rrjetet sociale kineze, etj) kujdesi intensiv po mbingarkohet”.
Kështu thotë Mike Ryan, drejtor i Emergjencave për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtari i OBSH-së shton: “Nuk do të thosha se Kina po dështon qëllimisht të na informojë për situatën, mendoj se situata është pranë kurbës së infeksioneve”.
Pak ditë më parë, OBSH e pa fundin e pandemisë Covid-19 si të afërt, sepse bota ka mësuar të jetojë me koronavirusin me vaksina dhe terapi.
Shpërthimi i papritur i infeksioneve në Kinë ka ndryshuar opinionin e organizatës me bazë në Gjenevë, e cila tani thotë se është “shumë e shqetësuar” dhe kërkon “të dhëna më të sakta për të vlerësuar rrezikun” dhe bën thirrje për një përshpejtim të vaksinave.
Do të jetë e vështirë për të marrë siguri nga Pekini, pasi sipas statistikave shtetërore të tij, askush nuk ka vdekur nga koronavirusi në dy ditët e fundit.
Ky është efekti i sistemit të ri të numërimit të viktimave, i shpallur të martën në mbrëmje nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë: vdekjet e pacientëve pozitivë regjistrohen si “vdekje nga Covid-19” vetëm nëse fundi është shkaktuar nga pneumonia dhe pamjaftueshmëri në frymëmarrje, pa patologji të tjera.
Kjo është arsyeja pse, ndonëse Pekini është sulmuar nga një valë e paprecedentë infeksionesh prej dy javësh, edhe dje (sipas autoriteteve shëndetësore), nuk vdiq askush nga Covid.
Në certifikatat e vdekjes, si arsye jepen arresti kardiak apo sëmundje të tjera që bllokojnë funksionimin e organeve vitale.
Dr Ryan pranon se departamenti i tij po mbështetet në “anekdota” për të vlerësuar gjendjen e rritjes së Covid-19 në Kinë.
Ja një nga këto anekdota, e cila u shfaq në profilin zyrtar “ËeChat” të spitalit Deji në Shangai: “Jemi në një betejë tragjike, nuk kemi zgjidhje, nuk mund të tërhiqemi”.
Spitali vlerëson se nga 25 milionë banorët e Shangait, 5.4 milionë janë tashmë të infektuar me koronavirus në këtë valë dhe pret që numri të rritet në 12 milionë deri në fund të vitit.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Pekinit, regjistroi këtë t enjte 3.030 persona të infektuar simptomatikë, 45 raste të rënda, zero vdekje.
Autoritetet kanë ndaluar regjistrimin e rasteve asimptomatike ose me simptoma të lehta për dhjetë ditë. Janë këto shifra që e lënë të hutuar drejtorin e urgjencave në OBSH në Gjenevë.
Autoritetet njoftojnë shtimin e shtretërve të kujdesit intensiv dhe kanë urdhëruar kompanitë farmaceutike të përshpejtojnë prodhimin e antipiretikëve dhe antiviralëve.
Shtypi i Pekinit shkruan se ata presin tre valë deri në mars dhe “ekspertët presin një rikthim në normalitet në pranverë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




