Ka ndodhur

Tentuan të vrisnin një 18-vjeçar në Korçë, arrestohen dy persona

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona, në lidhje me një ngjarje të ndodhur tre javë më parë, ku 5 persona tentuan të vrisnin një 18-vjeçar.

Në pranga kanë rënë shtetasit, A. D. dhe I. S, ndërkohë u proceduan penalisht edhe 2 të tjerë, të cilët fshehën provat materiale të kryerjes së krimit.

Policia sqaron se 27-vjeçari, A. D. më datë 19 qershor në aksin rrugor “Korçë-Voskop”, në bashkëpunim me shtetasit S. S., 25 vjeç, S. S., 33 vjeç, Dh. D., 33 vjeç, dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me automjetin “Rang Rover” kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç, të cilin dyshohet se kanë tentuar t’a vrasin duke e goditur me mjete të forta në dukje armë zjarri, e cila nuk ka realizuar qitje.

Ndërsa 51-vjeçari I. S. dyshohet se ka përkrahur 27-vjeçarin me të cilin ka lidhje shoqërore.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e I. S. në lagjen nr. 4, Korçë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike dhe 1 krehër me 30 fishekë.

Po punohet për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë