Drejtësia

Tentuan të korruptonin të penduarin e drejtësisë, dënohen me 6 vjet burg në total Gentian Goskova dhe Ervis Kosova

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3.6 vite burg Gentian Goskovën i njohur si “Reqi i Korçës” dhe me 2.4 vite Elton Kosovën, pasi tentuan të manipulojnë dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi.

Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, Luftar Reçi, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme.

Sipas SPAK, Goskova ka tentuar të korruptojë dhe manipulojë dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi, i cili ka dëshmuar për një sërë vrasjesh të bujshme në vend, si edhe për emra të njohur të botës së krimit.

Sipas dosjes, “Reqi” dhe Kosova, mbanin kontakte me një punonjës të burgut të Drenovës në Korçë, aty ku mbahet bashkëpunëtori i drejtësisë.

Rreth 260 mijë euro i janë ofruar bashkëpunëtorit të SPAK-ut në këmbim të tërheqjes së dëshmisë për përfshirjen e Emiljano Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, Artan Arsi në vitin 2005.

Luftar Reçi është një nga 7 të pandehurit e SPAK të cilët nën operacionin “Asgjë nuk harrohet” janë dërguar në gjykatë si autorë të grupeve kriminale që ekzekutuan në 2005 Klodian Saliun, Vajdin Lamen dhe shtetasin Artan Arsi.

“Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK, ka administruar një sërë provash, si përgjime dhe fotografim të takimeve, që dy personat e akuzuar kanë kryer me individë të ndryshëm të familjes Reçi, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të SPAK, Luftar Reçi.

Ai ka treguar për dy ngjarje shumë të rënda, ku në muajin shkurt 2005 në Tiranë u vranë Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe në Durrës u ekzekutua, Klodian Saliu.

Sipa dosjes hetimore, për Reçin ka pasur një plan për eliminimin e tij fizik. Nëse Reçi nuk tërhiqte dëshminë kundrejt pagesës, atëherë me 100 mijë euro ai do të helmohej nga gardianët e burgut nëpërmjet ushqimit.

Eliminimi i Reçit, sipas SPAK do të kryej me agjentë helmues që do të futeshin nga jashtë burgut nëpërmjet një polici, kundrejt shpërblimit prej 100 mijë eurosh. Por ky plan disa javor ka dështuar, pasi SPAK ka mundur të sigurojë informacion dhe ta parandalojë.

Në muajin shkurt të këtij viti prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet për vrasjet e bujshme të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhur para 17 vjetësh.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Mes të pandehurve të cilët implikohen nga dëshmia e Luftar Reçit janë: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taulla, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë