Ka ndodhur

Tentuan të hyjnë në Shqipëri me dokumente false, arrestohen 6 kinezë dhe 1 bjelloruse

Policia Kufitare në Aeroportin e Rinasit ka arrestuar 6 kinezë, të cilët tentuan të hyjnë në Shqipëri me dokumente identifikimi false, si dhe 1 bjelloruse, e cila kontrabandonte botoks dhe fillera.

Për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”, janë arrestuar M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe, të gjithë kinezë.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të tyre, ata kanë paraqitur pasaporta të shtetit të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.

Nga ekzaminimi në laborator, pasaportat rezultuan të falsifikuara.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, ka qenë dyshuese për qëllimin e udhëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë arsye ka kaluar për kontroll në vijën e dytë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, asaj iu gjetën dhe sekuestruan një sasi mallrash për qëllime estetike (botox dhe fillera), për të cilat kërkohen kushte të veçanta për transport, si dhe licencë e posaçme posedimi dhe përdorimi, të cilat ajo nuk i dispononte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë