Ka ndodhur

Tentoi të vriste shokun në dhomën e hotelit, arrestohet 26-vjeçari nga Durrësi

Një 26-vjeçar, Markelian Beqari, është arrestuar këtë të enjte, pasi akuzohet se ka plagosur brenda dhomës së një hoteli 20-vjeçarin Arni Sulejmani.

Për Beqarin, gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohet për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.

Prangosja e tij është bërë në aksin rrugor Linzë-Surrel, kur ai ka qenë duke lëvizur me makinë.

Policia kishte marrë informacione se i riu ishte në këtë zonë dhe  ka bërë të mundur prangosjen e tij.

Markelian Beqari akuzohet se në 9 dhjetor 2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri Sulejmanin, i cili mbeti i plagosur.

Pas ngjarjes 26-vjeçari u largua, ndërsa në pranga ra 22-vjeçarja A.B., sepse pas ngjarjes mori armën dhe e fshehu. Po ashtu u arrestua edhe një 66-vjeçar i cili e strehoi të renë.

Në 16 dhjetor, një nga personat e përfshirë në plagosjen me armë u arrestua në Durrës. Ai është, 32-vjeçari T.Sh., ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për akuzën moskallëzim krimi.

Motivet e konfliktit mbeten të paqarta, por sipas burimeve të rinjtë kishin përdorur drogë dhe alkool kur ndodhi ngjarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë