Ka ndodhur

Tentoi të vriste prindërit e tij duke i vënë zjarrin banesës, vihet në pranga 42-vjeçari  

Nga Gazeta Si – Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët. Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga hetimet paraprake rezulton se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar. 

Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.       

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç. 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Fqinjët e të moshuarve kanë thënë për mediat se e moshuara ishte prej vitesh e paralizuar dhe kanë qenë fqinjët që kanë dhënë ndihmën e parë, duke qenë se dhoma ku rrinin dy të moshuarit nuk është përfshirë nga flakët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë