Gazeta Si – Fatmir Frroku 36 vjeç u arrestua në Tiranë, pasi tentoi të vriste me armë Mariglen Jatën, 40 vjeç, muajin e kaluar në rrugën “Ramadan Citaku” në zonën e Institutit në Kamëz.
Sipas policisë, 36-vjeçari u kap në bulevardin “Nënë Tereza”, teksa lëvizte me makinë. Ndërkohë në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Izet Leka, 32 vjeç dhe Marsildo Ndoja, 30 vjeç. Njëri e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, ndërsa tjetri shoqërohej me të, në momentin e ndalimit.
Sipas burimeve, por edhe nga dëshmitë e marra, ka rezultuar se sherri mes të plagosurit Mariglen Jata dhe autorit të dyshuar, Fatmir Frroku, ka qenë banal për shkak të sharjeve në TiKTok.
Frroku e akuzonte Jatën, pasi ky i fundit e përmendte dhe e shante gjatë lidhjeve ‘live’ në rrjetet sociale. Të dy kanë qenë miq më herët, por muajt e fundit nuk flisnin për shkak të këtyre debateve.
Mbrëmjen e 23 nëntorit, Jata u qëllua me armë zjarri pistoletë nga Frroku sapo ai hyri në rrugicën e lagjes në zonën e Institutit.
Frroku akuzohet për “Vrasja me paramendim’, mbetur në tentativë, dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




