Ka ndodhur

Tentoi të vrasë 23-vjeçarin në bulevardin e Kamzës për një sherr banal

Një sherr për motive të dobëta për pak sa nuk ka përfunduar në një tragjedi mbrëmjen e të enjtes. Policia ka zbardhur një konflikt në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, ku dy shoferë u konfliktuan me njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre qëlloi me armë zjarri.

Për këtë ngjarje u arrestua 32-vjeçari Esat Selimaj, i cili akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ky person qëlloi me armë shoferin e makinës tjetër, ndaj 22-vjeçarit me iniciale I.I.

Në një distancë rreth 50 metra, Selimaj ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të 22-vjeçarit, i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në polici. Fatmirësisht 22-vjeçari nuk u prek nga plumbat dhe nuk u lëndua.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjet dhe sekuestrua një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të Selimajt, u zbulua edhe arma e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë