Ka ndodhur

Tentoi të përplaste me makinë çiftin, arrestohet 39-vjeçari (Foto)

Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të hënë një person i cili një ditë më parë ishte protagonist i një konflikti që mund të përfundonte me vrasje të dyfishtë.

Në pranga ka rënë 39-vjeçari Taulant Mekollari, i cili tentoi të godiste me mjet një shtetas dhe bashkëshorten e tij.

Ngjarja e pazakontë ndodhi në bulevardin “Migjeni”, ku Mekollari ka tentuar të përplasë me automjet shtetasin G.M., 36 vjeç dhe bashkëshorten e tij.

Sapo ka parë incidentin në fjalë dhe përshkallëzimin e situatës, një agjent i policisë i veshur civil, është afruar dhe ka nxjerrë armën për të neutralizuar të dyshuarin, i cili ishte në makinë për të vijuar aktin e tij.

Në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur më pas edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit Taultan Mekollari.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri  me grushte me njëri-tjetrin.

Pas konfliktit, Mekollari ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e tij. 

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 39 vjeçarit, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe’’Plagosja e lehtë me dashje’’.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë