Ka ndodhur

Tentoi të abuzojë me të miturën, lihet në burg polici 62-vjeçar

Gjykata e Lezhës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e policisë në Lezhë, Kol Kola, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë 13-vjeçare. Gjatë seancës gjyqësore, 62-vjeçari e ka mohuar akuzën, duke e cilësuar një inskenim.

Përveç dëshmisë së vajzës, prokuroria disponon edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku dallohet efektivi i policisë së bashku me të miturën, duke u futur në banesë. Aty 13-vjeçarja, sipas denoncimit, pretendon se ai ka kryer veprime të turpshme dhe ka tentuar të abuzojë seksualisht.

Sipas pamjeve, vajza ka qëndruar aty për 10 minuta dhe më pas është larguar, ndërsa pas kësaj ngjarje ka bërë denoncimin që çoi në pranga policin për ngacmim seksual. Ngjarja ka ndodhur në 29 prill, ndërsa efektivi u arrestua pasditen e të martës nga SHÇBA.

Nga hetimi i deritanishëm, ka rezultuar se punonjësi i policisë, ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë