Ka ndodhur

Vrasësit me pagesë, lihen në burg 4 nga 5 personat e arrestuar

Janë lënë në burg 4 nga 5 personat që u arrestuan dy ditë më parë gjatë aksionit “Storm” të Policisë Tiranë, Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Kurbinit për grabitje dhe tentativë vrasje për 20 mijë euro.

Gjykata e Kurbinit ka lënë në qeli Ibrahim Difaj, Damin Lleshaj, Robert Laçi, Ilirian Feçi, ndërsa vendosi lirimin e shtetasit Erjon Mulaj dhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje për të”. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth dy orë, të akuzuarit i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Moskallëzim krimi” “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Vrasja e punonjësve të Policisë, e mbetur në tentativë”,  “Vrasja me paramendim”,  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”.

Pesë personat u arrestuan të enjten nga Policia e Shtetit, ndërsa sulmi me armë kundrejt policisë në 14 janar 2022 në Qafë-Kashar ka çuar në zbulimin e grupit të vrasësve me pagesë.

Nga hetimet dyshohet se Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi, janë paguar 20 mijë euro nga Robert Laçi, për të vrarë punonjësin e hidrovorit të Adriatikut në Kurbin shtetasin Alfred Gjoka. Nga sulmi me armë aso kohe, Gjoka nuk mbeti i lënduar, vetëm kamionçina në të cilin po udhëtonte pësoi dëme të vogla materiale.

Ky atentat i dështuar, u zbulua pas hetimeve të kryera lidhur me sulmin ndaj policisë gjatë ndjekjes. Protagonist ishte sërish Ibrahim Difaj, i cili ishte së bashku në makinë me Shpetim Kraja (në kërkim) dhe gruaja me inicialet E. V..

Grupit në Qafë Kashar, policia i ka bërë shenjë që të ndalojë makinën, por shoferi është larguar në drejtim të Fushë Krujës. Në tentativë për t’u larguar, makina është përplasur me një bordurë dhe Ibrahim Difaj dhe Shpëtim Kraja kanë dalë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të policëve, të cilët më pas, duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.

Nga hetimet del se Difaj dhe Kraja janë autorë edhe të 2 vjedhjeve të 2 makinave, një Mercedes-Benz në Vorë dhe një “Volkswagen Touran” në Kurbin.

Në po të njëjtën ditë që kishin vjedhur mjetin, ata kanë grabitur edhe një shtetas gjerman. Sapo ky i fundit ka zbritur nga autobusi në autostradë, tek nënkalimi i Patokut i kanë vjedhur portofolin dhe një telefon celular.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë