Incidenti detar në ngushticën e Kerchit mes Rusisë dhe Ukrainës, ka shkaktuar “tronditjen” e radhës mes Moskës dhe Uashingtonit.
Presidenti i SHBA dhe ai i Rusisë kishin programuar një takim mes tyre të shtunën e ardhshme në Buenos Aires gjatë mbledhjes së G20, por gjithçka është anuluar dhe shkak është bërë situata e tensionuar në Detin e Zi, kur po përplasin “brirët” Ukraina dhe Rusia.
Ka qenë vetë Trump, ai që ka anuluar takimin me kreun e Kremlinit, duke theksuar se një samit mund të mbahet pasi të zgjidhet problemi i krijuar.
“Duke pasur parasysh faktin se anijet dhe marinarët nuk u kthyen në Ukrainë nga Rusia, vendosa që të ishte më mirë për të gjithë palët e përfshira që të anulonin takimin e planifikuar në Argjentinë me presidentin Vladimir Putin. Pres me kënaqësi një samit të rëndësishëm sapo të zgjidhet kjo situatë!”, shkruan Trump në Twitter.
Sot Kievi ka akuzuar Moskën se nuk e lejon të hyjë në portet e saj në Detin Azov, por Kremlini e ka mohuar. “Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kufizimi mbi aksesin e portet e Ukrainës në Detin e Azov, – tha zëdhënësi Dmitri Peskov. – Në të kundërtën, ne e dimë se ngushtica e Kerch është në regjimin normal të shfrytëzimit. Por ndonjëherë, për shkak të motit, porti i Kerçit, i cili kryen funksione administrative, merr vendime për të rregulluar navigimin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




