Politike

Tensionet te ‘Sterilizimi’/ Xhelal Mziu shtyn Milva Ekonomin, Peleshi: U tejkalua çdo kufi! Dhuna, e papranueshme

Nga Gazeta 'Si' - Kreu i Grupit Parlamentar të PS Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar sot në Kryesinë e Kuvendit.

Pasi Garda ndaloi anëtarët e opozitës të futen në komisionin hetimor të Sterilizimit, Xhelal Mziu shtyu kolegen Milva Ekonomi dhe më pas një anëtar të Gardës.

Peleshi u shpreh se dhuna ndaj deputetes ishte e papranueshme, ndërsa shtoi se opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Kreu i grupit u bëri thirrje demokratëve të rikthehen në rrugën e dialogut.

"Pas përpjekjeve të dhunshme të Partisë Demokratike për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme.

I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë", shkroi ai në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë