Kosova

Tensionet Serbi-Kosovë, bllokohet kalimi në pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak e Merdare

Gazeta Si – Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi mbrëmjen e së hënës bllokimin e kalimit në nga pikat kufitare të Jarinjës, Bërnjakut dhe Merdares në kufi me Serbinë.

Ajo thotë se shkak janë protestat që po mbahen në anën serbe dhe se nuk është i mundur as kalimi i autobusëve dhe kamionëve që udhëtojnë nga Kosova.

Në rrjetet sociale raportohet se shkak për bllokimin e qarkullimit janë bërë drejtuesit e kamionëve me targa serbe që nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë dhe që tani kanë bllokuar të gjithë qarkullimin.

Ministria thotë se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave ndaj udhëtarët duhet të zgjedhin pika doganore të tjera për të kaluar kufirin.

Sakaq, sot në orën 15:00 nga Uashingtoni emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, do të mbajnë diskutim publik lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në kohën kur dialogu është një prej tri kërkesave të tyre kryesore për të dyja palët.

Në njoftimin e bërë nga Këshilli Atlantik thuhet se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.

Ky diskutim do të ofrojë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë