Bashkimi Europian kërkon heqjen e mënjëhershme të barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Albin Kurtit për të shtyrë për në datën 1 shtator zbatimin e reciprocitetit të targave me Serbinë.
“Mirëpresim vendimin për të shtyrë zbatimin e masave në 1 shtator. Presim që të gjitha bllokadat të hiqen mënjëherë”, shkroi Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell.
Brukseli bën thirrje që të gjitha çështjet mes dy vendeve të adresohen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar prej tij.
“Vendet të fokusohen te normalizimi i marrëdhënieve, që është thelbësore për rrugën e tyre të integrimit në BE”, vijon Borrell.
Situata në veri të Kosovës është përshkruar si e tensionuar edhe nga misioni i KFOR-it. Përmes një deklarate të lëshuar mbrëmjen e së dielës, ky mision tha se ishte i gatshëm që të ndërhynte për të shmangur çdo përshkallëzim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka fajësuar drejtpërdrejt Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç për nxitjen e trazirave në veri.
Qeveria e Kosovës miratoi në fund të qershor vendimin për të zbatuar reciprocitetin e targave më Serbinë, si dhe heqjen nga territori i saj i targave serbe. Janë rreth 10 mijë automjete që besohet se qarkullojnë në Kosovë me targa të lëshuara nga Serbia.
Qeveria e Kosovës thotë se vendimin e bazon në një marrëveshje të arritur në Bruksel mes dy vendeve që në vitin 2011. Sipas këtij vendimi, automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë pajisen me targa të përkohshme 3-mujore, ashtu siç vepron Serbia me automjetet me targa kosovare që hyjnë në territorin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




