Nga Gazeta Si – Opozita mbylli protestën e dhjetë para Bashkisë së Tiranës pas 1 orë e gjysmë dhe lajmëroi se protesta e radhës nuk do jetë të martën e ardhshme, por të hënën e 10 qershorit në orën 11.00.
Protesta ka nisur e qetë por ka agravuar pasi protestuesit kanë vënë goma të vjetra para bashkisë dhe u kanë vënë flakën ndërkohë që kanë shkatërruar edhe gardhin metalik të vendosur nga policia. Teksa kanë tentuar të hedhin molotov drejt bashkisë, policia iu është kundërpërgjigjur turmës duke hedhur ujë.





Koordinatori rajonal i Tiranës, Klevis Balliu gjatë fjalës në protestën para bashkisë së Tiranës tha se çdo arrestim do të shikohet si provokim ndaj opozitës dhe qytetarëve.
“I bëjmë thirrje policisë, të gjithë ata të cilët sot kanë marrë përsipër çdo qytetar të këtij vendi, ne nuk tërhiqemi. Nuk do të tërhiqemi deri sa në këtë vend të funksionojë ligji, kushtetuta dhe në burg të shkojnë ata që vjedhin qytetarët dhe jo qytetarët që protestojnë kundër vjedhjes. Çdo arrestim do të shikohet si provokim i rëndë, ndaj popullit që proteston, ndaj çdo qëndrestari dhe qytetari, dhe ndaj opozitës”, tha Balliu gjatë fjalës së tij.








Anëtari i këshillit bashkiak Dorian Teliti tha se kjo rezistencë do të vazhdojë.
“Do të vazhdojmë të rezistojmë, nuk ka diktaturë që është shembur vetë., Diktaturat shemben me protesta, me qëndresë, nga njerëzit e lirë që nuk ulin kokën para pushtetit. Diktatura e Kryeministrisë dhe Bashkisë shumë shpejt do të ulen në gjunjët e shqiptarëve”, tha ai.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Partisë së lirisë Tedi Blushi, në fjalën e tij në protestën para Bashkisë Tiranë, tha se protestojnë për dinjitetin njerëzor e të drejtat e liritë e qytetarëve.
Ai shtoi se kryetari i Bashkisë Tiranë, nuk mund të “lajë duart” me vetëm një dorëheqje. Por duhet të japë llogari para drejtësisë.
“Bashkia, vend krimi të shndërruar në simbol korrupsionit. Kjo është protesta e 10 në radhë për dinjitetin njerëzor. Sot protestojmë për të drejtat e liritë që shkelen. Nuk ka dorëheqje që e shlyen mëkatin e tij. Do të japë llogari para drejtësisë pavarësisht se fshihet në skuta”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



