Ka ndodhur

Tensione në Dibër, PD denoncon në polici për blerje votash nga PS. Akuza për të shtëna me armë

Gazeta Si – Një incident është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Pilafes në Dibër për shkak të dyshimeve për shit-blerje votash.

Kandidati për deputet i PD, Xhemal Gjunkshi, me mbështetës të tij kanë bllokuar tre makina në fshatin Pilafe me pretendimet se kishin dalë për të blerë vota për llogari të Partisë Socialiste.

Policia deri tani ka kontrolluar për të verifikuar pretendimet e Gjunkshit. Për më tepër, Gjunkshi, pasi ka telefonuar policinë, ka denoncuar se një person ka qëlluar me armë zjarri në ajër pranë tyre, por policia deklaron se ka nisur hetimet.

“Rreth orës 20.25, shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave. Gjithashtu, shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër. Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit”, – njofton zyrtarisht policia në Dibër.

Sipas burimeve paraprake, Gjunkshi pretendon se një punonjës policie ka qëlluar me armë zjarri në ajër, i cili dyshon se është babai i një kandidati socialist për deputet në qarkun Dibër.

Forcat e FNSH-së ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ka ushtruar kontroll në automjetet e dyshuara.

Mëngjesin e kësaj të shtune, Policia e Dibrës njoftoi se kishte dërguar për procedim penal në SPAK kandidatin për deputet të PD në këtë qark për zgjedhjet e 11 majit, Xhemal Gjunkshi dhe 3 persona të tjerë, pasi bllokuan një makinë mbrëmjen e të premtes në Maqellarë, nën dyshimin se po bliheshin vota.

Pas dyshimeve, policia nisi hetimet, por ka konstatuar se kishte një shkelje të ligjit nga mbështetësit dhe përfaqësuesit e PD-së, përmes vetëgjyqësisë.

Gjithashtu, policia referoi në SPAK materiale proceduriale për “korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë