Ka ndodhur

Shkatërrohet selia e PS në Shkodër, policia: U plagos një efektiv

Protesta që nisi paqësisht paraditen e kësaj të shtune në qytetin e Shkodrës ka përshkallëzuar. Pjesëmarrësit në këtë tubim hodhën gurë e sende të forta drejt zyrave të Partisë Socialiste për Shkodrën, duke thyer fillimisht xhamat.
Më pas, ata u futën brenda në godinë, nxorën jashtë objekte që ndodheshin në të dhe u vunë flakën.
Një grup të rinjsh hodhën hurma në drejtim të policisë, ndërsa dhunës nuk i kanë shpëtuar as tabelat e reklamave në rrugë, të cilat u dogjën nga tubuesit.
Për të shpërndarë protestuesit ndërhynë Forcat e Ndërhyrjen së Shpejtë, që hodhën gaz lotsjellës dhe krijuan barrikadë përpara hyrjes së godinës.
Protestuesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ndërkaq, Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me protestën e sotme ku u regjistruan disa episode dhune, siç ishte dhe bastisja e godinës së selisë së PS-së.

Sipas policisë, pjesëmarrësit në tubimin kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, kanë dëmtuar me sende të forta godinën e PS-së, duke thyer e shkatërruar dritaret dhe dyert e më pas nxorën dhe dogjën bazën materiale. Policia thotë se nga protesta u plagos dhe një efektiv.

“Gjithashtu gjatë tubimit është gjuajtur me sende të forta në drejtim të Policisë dhe për pasojë është plagosur një nga punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme Shqiponja i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër për mjekim”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë