Euro 2020

Tension në Londër, përleshje mes tifozëve dhe policisë para finales

Momente tensioni para ndeshjes finale të Euro 2020 në Londër. Gjatë mbërritjes së tifozëve në “Wembley”, disa tifozë anglezë kanë hedhur tymuese dhe sende të forta, si dhe kanë kërcënuar në kor tifozët italianë që po i drejtoheshin stadiumit.

Është dashur të ndërhyjnë agjentët e sigurisë për të qetësuar situatën. Megjithatë, tre tifozë italianë janë sulmuar nga mbështetësit e “Tre Leoni”, sipas AFP-së, edhe pse nuk është raportuar për të plagosur.

Pjesa më e madhe e tifozëve italianë, që do të jenë më shumë se 6 mijë, kanë nxituar të shkojnë në stadium për të evituar provokimet e mundshme. Në zonën përreth stadiumit janë vendosur qindra policë. Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, u ka kërkuar tifozëve të mos i afrohen stadiumit, nëse nuk kanë biletë për finalen. Tifozët anglezë gjithsesi kanë pushtuar rrugët, duke kënduar dhe kërcyer, shumë prej tyre në gjendje të dehur.

Në disa momente ata janë përleshur edhe me policët, duke tentuar të futen në stadium pa biletë. Grumbullimi i madh i tifozëve pritet të ketë pasoja edhe sa i takon situatës me Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë