Drejtësia

Tension në gjyqin për ‘Gërdecin’, familja Durda përplaset me Mediun: Lër mandatin e përballu me ligjin

Gazeta Si – Debate dhe tension në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, ku në mars 2008 humbën jetën 26 persona nga shpërthimi i fabrikës së demontimit pranë Tiranës.

Shkak është bërë kërkesa e mbrojtësve te ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për të revokuar vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila pranoi si palë familjen Durda.

Sipas avokatëve të Mediut, avokati i tyre, Dorjan Matlia është drejtor i “Respublika” një qendër që është ngritur dhe financohet nga fondacioni Soros.

“Kjo zyrë është ngritur me fondet e Soros, është fakt me gjithë respektin për familjarët, në këtë proces nuk mund të ketë 2 prokurori”.

Ndërsa Geraldo Durda, familjari i njërit prej viktimave, iu drejtua deputetit me fjalët: “Lër mandatin e deputetit dhe përballeu me ligjin”.

Por Mediu u përgjigj se e ka lënë njëherë mandatin. “E kam lënë mandatin njëherë dhe jam këtu për të bërë gjykim, nuk mund të mos shprehem për kërkesat që kemi bërë”.

Pas këtyre debateve, avokatët e Fatmir Mediut, Ardian Viha dhe Henrik Ligori, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi me argumentin se nuk pranon kërkesat e tyre me shkrim.

“Këtu është fyer drejtësia, jo vetëm kjo trupë që ndodhet këtu. Është e pamundur që në të vijojmë procesin gjyqësor dukë qenë ai personi aty (Geraldo)”, tha avokati i Mediut, Henrik Ligori.

Mediu në sallën e gjyqit u përfshi edhe një përplasje tjetër, duke iu drejtuar familjes Durda se kanë 15 vite që i dëgjojnë, në një kohë kur ata po kërkojnë drejtësi për djalin 7-vjeçar që mbeti i vdekur nga shpërthimi në Gërdec.

Avokati Dorian Matlia: “Meqë kërkuan të dalë nga salla Geraldo Durda, atëherë jemi dakord të largohet në mënyrë që të mos kemi pengesa”.

Fatmir Mediu: “Kemi 15 vite që ju dëgjojmë”.

Feruzan Durda (nëna e viktimës), ngrihet në këmbë: “15 kam unë që pres. Nuk e financon Soros, se e ka marrë në 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot”.

Pas kësaj situate, Mediu ka deklaruar se nuk pranon që në emër të familjarëve të viktimave të bëhet politikë. Ai i qëndroi deklartave të tij, duke theksuar se procesin e demontimit të municioneve e kanë bërë Forcat e Armatosura.

Zamira Durdaj, iniciusja e ketij procesi kërkon prej kohësh një shpjegim se për cilën arsye i biri, Edison Durdaj nuk jeton më.

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për “shpërdoim detyre” në bashkëpunim dhe “shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak”.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëvë në Gërdec më 15 mars 2008, shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë