Futboll

Tension i lartë te Bajern Mynih, Mane godet me grusht në fytyrë Sane

Gazeta Si – Pas shkarkimit të papritur të Nagelsman, bavarezët kanë humbur 2 nga 4 ndeshjet e luajtura, duke u eliminuar nga Kupa e Gjermanisë dhe thuajse janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, pas disfatës 3-0 në fushën e Mançester Sitit. Kjo situatë ka bërë që të ketë tension edhe brenda skuadrës.

Pas humbjes në Angli shpërtheu një skandal me sulmet raciste në rrjetet sociale nga ana e shumë tifozëve ndaj mbrojtësit Dajot Upamekano. Po ashtu, pati edhe një sherr mes Sadio Mane dhe Leroi Sane, dy sulmuesve të Bajernit. Madje, lojtari i Gjermanisë ka marrë një grusht në buzë, që e ka gjakosur.

Sane dhe Mane gjate ndeshjes me Sitin. Gazeta Si, 13 prill 2023

Në fundin e ndeshjes me Sitin, Mane u nis në thellësi me shpejtësi, ndërsa Sane preferoi një pasim të shkurtër. Dy lojtarët nisën të zihen me fjalë në fushë, ndërsa në dhomën e zhveshjes situata degjeneroi. Mane u ankua për sjelljen e shokut të skuadrës, që reagoi ashpër.

Mane, që në 2023-shin nuk ka shënuar ende dhe nuk është aspak i qetë, e goditi në fytyrë Sane. Kanë ndërhyrë menjëherë shokët e skuadrës për t’i ndarë. Situata është mjaft e tensionuar në skuadrën bavareze, ka nervozizëm dhe intolerancë ndaj gabimeve të shokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë