Gazeta Si – Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon prej muajsh nga qielli dhe toka, prej tre javësh mbizotëron një tension i lartë në detin e Pulias në brigjet e Adriatikut në Itali.
Aty ku anijet ushtarake ruse dhe amerikane u përballën një ditë më parë nga një distancë, si në një lojë shahu e luajtur në një tabelë të dyfishtë.
Mediat italiane prej dy ditësh kanë dhënë alarmin dhe raportojnë se “teatër” i përplasjes është bërë Kanali i Otrantos dhe Deti Jon në brigjet e Santa Maria di Leuca, një zonë e Mesdheut.
Një zonë që tani është bërë veçanërisht e rëndësishme për interesat e Rusisë dhe NATO-s pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Për javë të tëra, dy formacionet detare kanë konkurruar në duele elektronike, duke inkuadruar kundërshtarët e tyre në radar për të dëshmuar aftësinë për t’i goditur ata dhe simuluar veprime në qiellin e zbulimit dhe bombarduesve luftarakë.

Në brigjet e Otrantos
Tre javët e tensionit të lartë në detin e Pulias, nisin më 22 korrik, kur harku i destrojerit rus “Admiral Tribuc” shfaqet në kanalin e Otrantos.
Nuk është një udhëtim i izoluar, pasi njësia detare ndiqet nga kryqëzori i fuqishëm “Varyag” dhe anija spiune “Vasily Tatishchev”.
Një manovër që tingëllon si një përgjigje ndaj asaj të aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”, e cila kalon në Mesdhe mes Siçilisë dhe Adriatikut me rreth 60 avionë bombardues F18 Hornet.
Në fakt, “Truman” nuk është gjithashtu i vetëm: ka edhe një eskortë të marinës amerikane, si dhe njësi të NATO-s spanjolle, italiane, turke dhe greke (Grupi Detar i Përhershëm), të cilat më 25 korrik takohen në detin Jon për të mbështetur aeroplanmbajtësen amerikane.

Kepi i Leuca-s
Destrojeri “Admiral Tribuc”, futet në kanalin e Otrantos duke u vendosur në brigjet e Abruzzos, ndërsa “Varyag” mbetet jashtë Salentos për të bllokuar rrugën ndaj “Truman”-it amerikan.
Kryqëzori “Varyag”, nuk është thjesht një njësi detare: përkundrazi, është një nga pjesët e çmuara të Marinës Ruse, binjake e “Moskva”-s (e mbytur nga ukrainasit më 14 prill) dhe ka raketa me rreze të gjatë, të frikshme P-1000 “Vulcan”, të cilat mund të përshkojnë një distancë prej 500 metrash me shpejtësi trefishin e shpejtësisë së zërit.
Por manovra ruse nuk mbetet pa përgjigje: në zonë futet kryqëzori amerikan “Sherman”, i cili vendoset në anën Jonike të kepit të Leuca-s, ndërsa “Varyag”-u mbetet në ujërat e Detit Adriatik.

Strategjia
Manovrat shqetësuese ruse, do të ishin pjesë e një strategjie shumë specifike të dëshiruar drejtpërdrejt nga Kremlini në një zonë veçanërisht delikate me synimin për të afirmuar epërsinë detare që është thelbësore për kontrollin e trafikut të mallrave dhe për manovrat ushtarake.
Dhe kështu, në brigjet e Pulias, ku prania e NATO-s është ende masive, tensioni dhe pëqendrimi mbetet i lartë.

Dy anije të tjera ruse drejt Mesdheut
Ndërkohë, gazeta “La Repubblica” informon se dy anije të tjera ruse janë nisur për në Mesdhe. Njëri është furnizuesi me karburant i paarmatosur “Academic Pashin”, i ngjashëm me një cisternë, i cili më parë ka kryer misione spiunazhi, i fotografuar dy ditë më parë përballë portit të Doverit.
Tjetri është një njësi ushtarake që lundron pa transmetues pozicioni dhe nuk është identifikuar.
Vitet e fundit, “Academic Pashin” ka lëvizur shpesh së bashku me kryqëzorin me energji bërthamore “Pjetri i Madh”, një kolos sovjetik plot me raketa dhe 250 metra i gjatë, i cili tre ditë më parë u largua nga porti i Severomorsk, në hyrje të Arktikut.
Forcat ajrore britanike dërguan një aeroplan spiun për të monitoruar lëvizjet e tij, duke shkaktuar reagimin e interceptorëve rusë më 15 gusht, të cilët e detyruan të largohej nga baza.
Faqja e specializuar “Covert Shores”, ka identifikuar furnizuesin dhe mjetin tjetër misterioz të dielën e kaluar në Kanalin Anglez.
Ata do të arrijnë në Gjibraltar në ditët e ardhshme. Ka të ngjarë që të jenë të destinuar të zevendsojnë kryqëzorin “Marshal Ustinov”, flamuri i Flotës Veriore që ka tetë muaj që patrullon ujërat midis Sirisë dhe Siçilisë.
Rregulloret ndërkombëtare ndalojnë anijet ndërluftuese të kalojnë Bosforin dhe Marina e Moskës është e detyruar të ndërmarrë një stafetë të lodhshme dhe të kushtueshme nga Lindja e Largët dhe Veriu i Largët në mënyrë që të mbajë një dislokim të fuqishëm në Mesdhe.

Pse Moska po “luan” kaq ashpër në det?
Kremlini në fakt e konsideron atë një prioritet absolut. Pak ditë më parë Vladimir Putin lëshoi një direktivë të qartë: “Ne duhet të ruajmë statusin e Rusisë si një fuqi e madhe detare, aktivitetet e së cilës synojnë ruajtjen e stabilitetit strategjik në botë dhe forcimin e ndikimit kombëtar”.
Udhëzimet këmbëngulin në një pikë: rëndësinë e Mesdheut Lindor, thelbësore për rrugët që shkojnë në Kanalin e Suezit dhe që sot lejojnë tregtinë me vendet që nuk i përmbahen embargos: ato janë jetike për eksportin e naftës, mineraleve të çmuara, drithërave.
Por edhe për të sjellë teknologji dhe makineri nga Azia. Përtej interesave ekonomike, megjithatë, ekziston një pyetje gjeopolitike: të tregohet vendosmëria ruse ndaj NATO-s, me një sfidë që ka marrë një dinamikë të harruar që nga Lufta e Ftohtë.

Një konflikt që rrezikon të degradojë
Kështu, Mesdheu prej muajsh është shndërruar në frontin e dytë të konfliktit ukrainas, i vetmi ku forcat ushtarake ruse dhe ato të Aleancës Atlantike përballen nga afër.
Moska ka mbledhur atje një flotë të paprecedentë: dy kryqëzorë, po aq anije luftarake, dy fregata, një korvetë, të paktën dy nëndetëse dhe tre anije spiune.
Në gusht, një aeroplan spiun i marinës amerikane u ngrit nga Sigonella, ku patrulloi ujërat e Salentos, e mbushur me turistë.
Dhe çdo ditë nga boshti i “Truman”-it ka nga 60 deri në 90 ngritje, me avionë të përfshirë në fluturime për të “siguruar aleatët evropianë”. Misionet mbërrijnë shpesh nga Adriatiku në Detin e Zi dhe madje edhe në Baltik.
Javën e ardhshme, aeroplanmbajtësja amerikane do të zëvendësohet nga “George H. W. Bush”, e cila është rikthyer në shërbim pas dy vitesh rinovim.
Emri i saj i luftës është “Avenger”. “Hakmarrësi” dhe ekuipazhi i tij prezantoi ekspeditën me një video: “Ne jemi të aftë, ne jemi vdekjeprurës, ne jemi liria që funksionon”.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




