Gazeta Si – Tenistja ukrainase, Marta Kostiuk, ka kritikuar shumë ashpër sjelljen e tenistëve rusë pas sulmit ushtarak në Ukrainë. “Askush nuk më ka thënë se ndjen keqardhje për atë që vendi i tij apo i saj po i bën vendit tim. As nuk kanë kërkuar ndjesë ndaj meje dhe tenistëve të tjerë ukrainas.
Nuk arrij ta shpjegoj pse rusët kanë një sjellje të tillë. Është e neveritshme të shkosh në fushë dhe të shohësh se problemi i tyre i vetëm në këtë moment janë paratë”, – ka thënë Kostiuk në konferencë shtypi pas fitores ndaj belges me origjinë ukrainase, Marina Zanevska.

Gjatë kësaj kohe vetëm Danil Medvedev, numri 1 i tenisit botëror, ka reaguar pas sulmit në Ukrainë. Gjithsesi, reagimi i rusit ka qenë më tepër diplomatik, duke thënë thjesht se ai është për paqen kudo në botë.
Rastet janë nga më të ndryshmet sa u takon qëndrimeve nga bota e sportit për luftën në Ukrainë. Shumë sportistë dhe ish-sportistë janë angazhuar vetë në luftë, ndërsa rasti më i diskutuar është ai i ish-mesfushorit ukrainas të Bajern Mynih, Anatoli Timoshuk.
Edhe pse është një nga personazhet më të njohur të sportit ukrainas, ai nuk ka bërë asnjë reagim dhe në vendin e tij e akuzojnë për tradhëti, duke qenë se punon te klubi rus i Zenitit të Shën Pjetërburgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



