Tenistja ukrainase Dajana Jastremska, 20 vjeç, numri 29 në klasifikimin botëror dhe fituese e tre turneve në karrierë, është pezulluar përkohësisht, pasi ka rezultuar pozitive në një test antidoping që ka bërë më 24 nëntor të 2020-ës.
Në analizat e urinës së saj janë gjetur gjurmë mesteroloni, një anabolizant që përdoret kryesisht në trajtimin e nivelit të ulët të testosteronit. Jastremska nuk e ka apeluar ende pezullimin provozor që nis më 7 janar dhe do të zgjasë deri në një përgjigje përfundimtare.
Megjithatë, me një status në Tuiter, tenistja ukrainase është mbrojtur, duke shkruar: “Nuk kam përdorur kurrë substanca që përmirësojnë paraqitjen në lojë, apo substanca të ndaluara. Jam e shokuar nga vendimi, para së gjithash sepse pak ditë para këtij testi, më 9 nëntor 2020, kisha dalë negative në kontrollet para turneut të Linzit. Pask këtij turneu e ndërpreva stërvitjen për të pushuar para nisjes së sezonit të ri”.
Më tej Jastremska thekson se do të bëjë gjithçka për të pastruar emrin: “Substanca që përmendet, sipas informacioneve të marra nga specialistët, nuk lejohet të përdoret nga femrat, sepse ka efekte kolaterale. Jam e vendosur të bëj gjithçka për të pastruar emrin tim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.